Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

I larguari nga Wagneri merr lejeqëndrim të përkohshëm në Norvegji, thotë se do të dëshmojë për krimet e luftës

Rusi Andrey Medvedev, i cili thuhet se dezertoi nga një pozicion i lartë në Grupin Wagner, ka marrë lejen për të qëndruar në Norvegji, por që azili i përhershëm i është refuzuar, raportoi të martën “AP News”.

Avokati i tij, Brynjulf Risnes, ka thënë se klientit të tij iu dha qëndrimi i përkohshëm për shkak të rrezikut të sigurisë që përfshihej në dërgimin e tij në Rusi, por nuk i është dhënë qëndrimi i përhershëm apo shtetësia.

Medvedevi ka kërkuar azil në janar të vitit 2023 pasi u largua nga Wagner dhe u arratis në Norvegji, duke kaluar ilegalisht kufirin e duke thënë se kishte frikë për jetën e tij nëse do ta kthenin mbrapsht.

Ai ka deklaruar se ka pranuar të bashkohej me Wagnerin nga korriku deri në nëntor 2022, por u largua pasi kontrata i është zgjatur pa pëlqimin e tij.

Siç raportohet, Medvedevi është shprehur i gatshëm të dëshmojë për çdo krim të mundshëm lufte që ai ishte dëshmitar, megjithëse ai vetë mohoi të kishte marrë pjesë në ndonjë prej tyre.

Në prill të vitit 2023, Medvedev u dënua me 14 ditë burg në Norvegji për sjellje të parregullt dhe për mbajtje të një pistolete në një vend publik. Oficerët e kishin arrestuar Medvedevin jashtë një pijetoreje në Oslo pas një zënke në një bar në gjatë muajit shkurt të vitit të kaluar.