Botë

Franca u lëshon viza gjashtë ushtarëve rusë që kanë ikur nga lufta

Ushtaret rusë

Gjashtë ushtarëve rusë që kanë ikur nga lufta në Ukrainë u është dhënë viza e përkohshme pasi kanë aplikuar për azil politik në Francë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut e përshkruajnë si rastin e parë të madh të një grupi dezertorësh që pranohen në një vend të BE-së.

Burrat mbërritën në Paris me fluturime të ndara gjatë muajve të fundit, pasi fillimisht u larguan nga Rusia në Kazakistan në vitin 2022 dhe 2023, sipas një organizate që ndihmon ushtarët të arratisen.

“Kur zbrita në Francë, ishte hera e parë që mund të merrja frymë plotësisht. Ndjeva një ndjenjë qetësie dhe lirie… më e keqja ishte pas meje”, ka thënë për The Guardian Alexander, një ish-ushtar rus, i cili u dërgua në Ukrainë dhe u dezertua gjatë verës së vitit 2023.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, dhjetëra mijëra ushtarë rusë kanë dezertuar ose kanë refuzuar urdhrat për të luftuar, thonë aktivistët e të drejtave dhe grupet që ndihmojnë ushtarët të largohen.

Por Perëndimi është ndeshur prej kohësh lidhur me vendimin nëse do të pranojë ushtarë rusë që kanë dezertuar, me pyetjet nëse do t'i trajtojë ata si heronj apo kriminelë lufte. 

Ndërsa BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë diskutuar publikisht për ofrimin e azilit për dezertorët rusë, asnjë vendim nuk është marrë dhe është dëshmuar të jetë e vështirë për dezertorët të marrin azil.

"Kjo është hera e parë që një vend i BE-së lejon një grup dezertorësh që nuk kishin asnjë dokument udhëtimi apo pasaportë të huaj”, ka thënë Ivan Chuviliaev, zëdhënës i Go By The Forest, një grup që ndihmon ushtarët rusë të dezertojnë, duke përfshirë gjashtë ushtarët.

Në pamundësi për të udhëtuar në Evropë dhe duke u përballur me mundësinë e burgimit afatgjatë në shtëpi, shumica e dezertorëve u larguan në vendet në kufi me Rusinë, si Armenia dhe Kazakistani, ku mund të hynin pa pasaportë, por mbetën të bllokuar pa mundësi për të udhëtuar më tej.

Moska ka bërë përpjekje të mëdha për t'i gjetur ata. Ka pasur një numër në rritje të rasteve ku dezertorët e fshehur në vendet post-sovjetike, janë rrëmbyer ose deportuar përsëri në Rusi. Situata e tyre e pasigurt ka nxitur thirrje më të forta nga aktivistët kundër luftës për t'u siguruar ushtarëve një strehë të sigurt duke i lejuar ata të kërkojnë strehim në Perëndim.

Mbrojtësit kundër luftës, si Chuviliaev tani besojnë se gatishmëria e Francës për të pranuar dezertorët mund të krijojë një precedent dhe të dërgojë një sinjal të fortë për vendet e tjera perëndimore, duke përshpejtuar potencialisht procesin.

"Vendimi i Francës është rezultat i bashkëpunimit të gjerë midis autoriteteve franceze dhe një grupi organizatash të të drejtave të njeriut”, ka thënë Chuviliaev, organizata e të cilit ka ndihmuar mbi 2,000 ushtarë të ikin jashtë vendit.

“Shpresojmë që ky të shënojë fillimin e lejimit të më shumë dezertorëve në Evropë”, ka shtuar ai.