Rrëfimi nuk është i largët, por reprizohet në realitetin e përditshëm. Prej aty e merr historinë edhe “Emili” me aktoret Arta Dobroshi e Luiza Xhuvani, me skenar e regji të Ajola Dajës. Nuk është ndonjë histori konkrete, por shndërrohet në një temë universale pa pretendimet për ta përcjellë direkt një mesazh. Sepse mesazhi është aty te përballja me dhunën ndaj gruas. “Është shumë me rëndësi të flitet për këto gjëra sepse ndodhin kudo në botë, jo vetëm për një vend specifik”, ka thënë Arta Dobroshi. “Të gjitha krijimet e artit në përgjithësi, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë besoj deri në fund të njerëzimit, i bëjmë për ato gjëra që na i tronditin themelet e brendshme tona”, ka thënë Ajola Daja
Një histori dhune ndaj gruas, shpaloset nga dy gra që kanë rolet qendrore në filmin “Emili”: aktorja Arta Dobroshi dhe regjisorja e skenaristja e filmit, Ajola Daja. Me art kinematografik zbërthen pasojat e veprimeve të gabuara të shoqërisë, në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFest” në Prishtinë.
Është një lloj rituali i përhershëm në këtë festival. Imazhi është gati i njëjti, sikurse edhe hapësira ku mbahet ngjarja. E njëjtë është edhe motoja “For her”, sepse tashmë secili edicion është festë në kujtim të producentes e themelueses së Festivalit, Vjosa Berisha e cila e organizonte festivalin bashkë me regjisorin Fatos Berisha.
E të enjten mbrëma, rituali i një dite në Festival ka filluar me mbledhjen e mysafirëve e të publikut. Janë ndalur në tepihun e kuq, në hapësirën me përplot shenja që japin imazhet e një ngjarjeje glamuroze, e aty ku gostia shpërthen pas çdo shfaqjeje filmi të gjatë që e përmbyll një ditë festivali para një sesioni muzikor.
Salla e kinemasë “Armata” ka qenë e mbushur për filmin “Emili” me të cilin Ajola Daja, debuton në metrazh të gjatë.

Skenat janë të thjeshta, pa improvizime. Fotografia lëvizëse shpesh jep ndjesinë e atyre të dokumentarëve. Një frymë të këtij zhanri e jep edhe filmi. Ndërton një rrëfim në të cilin mund ta gjejë veten shumëkush, qoftë edhe ata që nuk e kanë përjetuar, por që jetojnë duke u përballur me rrëfime e skena të tilla në realitet.
Emili e fton djalin e saj, Noelin, për “të luajtur” jashtë. Në çdo rast që përmendet loja, është thjesht një sinonim për arratisjen e tyre. Se ata nuk do të dalin për argëtim, më shumë se bagazhi që mban, tregon vështrimi i kryepersonazhit rreth e rrotull, që lë të kuptojë se është takimi i fundit me atë dhomë të zymtë për të, si strehë e përplot historive të trishta.
Marrin rrugën për në Greqi, te prindërit e saj, por pa autorizimin e Robertit, babait të Noelit, nuk kalojnë kufirin assesi. Aty u ndalohet të kalojnë matanë kufirit të Shqipërisë. Emili dhe Noeli (Noel Miraka) përfundojnë te Yllka, nëna e Robertit, rol që luhet nga aktorja Luiza Xhuvani.
Drama e vërtetë nis kur Roberti (Lulzim Zeqja) hyn me forcë në shtëpinë e nënës së saj dhe në sytë e djalit të tij, ushtron dhunë ndaj Emilisë. Si rrjedhojë e një përplasjeje të fortë, kjo e fundit përfundon në Spitalin e Traumës, e dhunuesi në burg. Denoncohet nga nëna e tij.
Ky fragment në film është mbase kulmimi i këtij rrëfimi, por në jetën e protagonistëve, është veç një tjetër ngjarje e përditshmërisë së tyre. Por është pika e fundit që e mbush kupën e durimit të Emilisë. Dhe vetë projekti vjen si thirrje e sensibilizim në një formë a tjetër.
Aktorja Arta Dobroshi ka thënë se tema është shumë e rëndë dhe si të tillë e ka përjetuar edhe gjatë portretizimit të rolit të saj.
“Shumë temë e rëndë është. Është film i buxhetit shumë të ultë. Kur ma kanë dërguar skenarin, e kam bërë për skenar. Tema siç ka qenë, kam dalë për ta portretizuar këtë grua dhe të tregoj jetën e saj në film. Kur e luan është rëndë sepse e përjeton. Është shumë me rëndësi të flitet për këto gjëra sepse ndodhin kudo në botë, jo vetëm për një vend specifik. Është bërë në Tiranë dhe është temë universale. Ka qenë skenari i shkruar ashtu dhe vetëm e kam ndier ta bëj”, ka thënë ajo për KOHËN.

Ka theksuar rëndësinë e trajtimit të një teme të tillë në një film.
“Janë shumë të rëndësishme për çdo shtet që ta bëjë sistemin më të fortë për përkrahjen e grave, sidomos ato që ndodhen në këso dhune familjare. Është shumë e rëndësishme ta kenë përkrahjen e shtetit. Këtë e tregon filmi”, ka thënë aktorja Dobroshi, e cila në filmin “Emili” është edhe bashkëproducente.
Yllka gjendet midis dy drejtimeve emocionesh dhe frikës së marrjes së vendimeve të gabuara. Ndien faj për përjetimet që i ka shkaktuar të birit që po çmendet në burg, e në anën tjetër për atë çfarë po përjeton Emili dhe nipi i saj. Veprimet e saj janë jetike për Emilinë. Ajo sërish përballet me skenën e njëjtë të pamundësisë për të shkuar te prindërit në Greqi së bashku me Noelin. Kësisoj detyrohet të ballafaqohet me takimin me bashkëshortin në burg. Pa rezultate në këtë drejtim, por po në atë të thellimit të traumës.
Emili dhe vjehrra e saj, Yllka, kanë krejtësisht të njëjtin fat. Bëhet e ditur se dhuna e ushtruar nga Roberti, vjen si një lloj trashëgimie nga babai i tij ndaj Yllkës. E kjo e fundit frikësohet se e njëjta fatkeqësi do ta gjejë edhe nipin e saj, që luhet nga Noel Miraka.
Ka qenë gjashtë a shtatë vjeç kur ka luajtur në film, por imazhet janë lloj pasqyre për një talent të ri në skenën e kinematografisë.
“Ka qenë eksperienca ime e parë, më e bukura le të them. Shpresoj të vazhdoj akoma që të kem një të ardhme sa më të mirë... Kam qenë akoma shumë i vogël. Nuk dija asgjë për aktrimin, ka qenë ndihmë shumë e madhe nga Arta dhe regjisorja”, ka thënë ai.
Nga pamundësia për të siguruar autorizimin për Noelin për të udhëtuar jashtë vendit, Yllkës i shkrep një mendje një vendim. Por më shumë ngjan si një plan djallëzor. Është heqja e prindërimit të Emilisë dhe Robertit dhe birësimi nga Yllka. Kjo, sipas Yllkës, për t’ia dhënë lejen për të shkuar aty ku synojnë. Kjo ndodh dhe kalojnë javë derisa ajo pret. Krijohen dyshime, një vizitë tek avokati rezulton se dokumentet janë kryer kaherë dhe Emili, e frustruar, e detyron Yllkën të nënshkruajë lirinë e saj dhe të djalit.

Regjisorja e skenaristja e filmit “Emili”, Ajola Daja, ka thënë se kishin planifikuar kaherë për ta sjellë rrëfimin e filmit në Prishtinë. E ka konsideruar edhe si një lloj misioni që nëpërmjet arteve të adresohen problematika sociale.
“Të gjitha krijimet e artit në përgjithësi, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë besoj deri në fund të njerëzimit, i bëjmë për ato gjëra që na i tronditin themelet e brendshme tona, që na lumturojnë, na gëzojnë a hidhërojnë. Diçka e tillë që është vërtet problematike, dhuna ndaj gruas, nuk është vetëm në Shqipëri, është kudo në botë. Më ka tronditur dhe mendova se duhet ta tregoj këtë. Jo për të vënë një mesazh në vetvete, pra nuk ka qenë e qëllimshme ta bëj këtë, por ka qenë si një kërkesë tërësisht e brendshme për ta shprehur këtë emocion që më mundonte”, ka thënë ajo.
Ka thënë se është frymëzuar nga vetë fenomeni në vend e në botë. E vlerëson si nevojë për t’u trajtuar dhuna në familje.
“Jam frymëzuar nga jeta e përditshme duke parë dhe duke dëgjuar, fatkeqësisht, shumë mizori rreth e rrotull nesh në përditshmërinë tonë të cilat dikur më kishin mbushur. Pastaj krejt papritur dëgjova një histori dhe pashë në spital rastësisht sesi ndodhte kjo me njerëzit tanë dhe thashë se me të vërtetë kam nevojë ta tregoj këtë eksperiencë. Nuk ka të bëjë me një personazh konkret që ka një emër, por ka shumë emra, sepse kjo mund t’i ndodh kujtdo”, ka thënë regjisorja Daja më tej.
Filmi “Emili” është në garën zyrtare të edicionit të sivjetmë të festivalit të filmit “PriFest” i cili mbyll kapitullin e 17-të me ndarjen e çmimeve të dielën mbrëma.