Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se BE-ja nuk duhet t’i fillojë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në union.
Të premten, në një intervistë për radion shtetërore, ka theksuar se ky ishte “qëndrim i qartë” i Hungarisë për këtë çështje.
“Bisedimet e anëtarësimit nuk duhet të fillojnë, ky është qëndrimi i qartë i Hungarisë”, ka thënë Orban.
“Do të doja ta bëja shumë të qartë se refuzimi hungarez i fillimit të bisedimeve me Ukrainën mbi anëtarësimin në BE nuk i nënshtrohet një marrëveshjeje biznesi ... Nuk mund të lidhet me çështjen e fondeve që Hungaria ka të drejtë të marrë”, ka shtuar ai.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së, në mes të dhjetorit, do të vendosin nëse do të pranojnë rekomandimin e Komisionit për ta ftuar Kievin për t’i filluar bisedimet e anëtarësimit sapo të përmbushë kushtet përfundimtare.
Edhe
Orban: Hungaria mund ta ndalojë anëtarësimin e Ukrainës
Çdo vendim i tillë kërkon unitet të 27 anëtarëve të bllokut dhe Hungaria shihet si pengesa kryesore.
Nacionalisti Orban, në pushtet që nga viti 2010, përballet me stagnim ekonomik këtë vit dhe një deficit buxhetor në rritje, ndërsa vendi po del nga normat më të larta të inflacionit në Evropë që arritën kulmin mbi 25% në tremujorin e parë. / Reuters