Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hong Kongu arreston 7 persona të lidhur me pastrimin e 1,8 miliardë dollarëve

Zyrtarët e Doganës së Hong Kongut kanë arrestuar shtatë persona të lidhur me rastin më të madh ndonjëherë të pastrimit të parave në territor.

Bëhet fjalë për 1,8 miliardë dollarë, një pjesë e të cilave janë të lidhura me një rast mashtrimi në Indi, raportoi Associated Press të premten.

Shtatë banorët lokalë, të moshave nga 23 deri në 74 vjeç, ishin pjesë e një sindikate të madhe transnacionale, e cila përdorte kompani të ndryshme të menaxhimit të parave dhe llogari bankare, për të transferuar shuma të mëdha nga jashtë shtetit, për në qytet, nën maskën e drejtimit të bizneseve tregtare ndërkombëtare, kanë deklaruar zyrtarët doganorë.

Një prej llogarive njëherë ka pranuar rreth 12,8 milionë dollarë brenda një dite të vetme, kanë thënë ata.

Ip Tung-ching, shefja e byrosë së hetimit financiar doganor ka thënë se 371 milionë dollarë nga totali i shumës së pastruar, dyshohet të ketë të bëjë me një rast mashtrimi në Indi.