Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka thënë se shumë vende duket se janë gati për të rënë dakord me kërkesën e Trumpit për 5% shpenzime në mbrojtje.
"Angazhimi është aty, 5% për shpenzimet e mbrojtjes", u ka thënë ai gazetarëve pasi ka dalë nga takimi i ministrave të Mbrojtjes të mbajtur të enjten në Bruksel.
"Kur merr në konsideratë kërcënimet me të cilat përballemi, urgjencën në botë, kjo është kritike. Nuk kemi nevojë për më shumë flamuj. Ne kemi nevojë për më shumë formacione luftimi. Nuk kemi nevojë për më shumë konferenca. Ne kemi nevojë për më shumë aftësi, për më shumë fuqi”, ka deklaruar Hegseth, raporton AP.
Ministrat e Mbrojtjes janë mbledhur të enjten për të miratuar objektivat e blerjes, për furnizimin me armë dhe pajisje ushtarake për të mbrojtur më mirë Evropën, Arktikun dhe Atlantikun e Veriut, si pjesë e një shtytjeje të SHBA-së për të rritur shpenzimet e sigurisë.
Të nxitur nga shqetësimet e tyre për sigurinë, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur shpenzimet ushtarake, duke përfshirë blerjet e armëve dhe municioneve, që kur Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Në të njëjtën kohë, disa aleatë kundërshtojnë kërkesat e SHBA-së për të investuar 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto në mbrojtje, 3.5% në shpenzimet kryesore ushtarake dhe 1.5% në rrugë, ura, aeroporte dhe portet detare të nevojshme për të vendosur ushtrinë më shpejt.