Botë

Harris e Trump përballen sonte në debatin që pritet ta ndryshojë rrjedhën e garës

Kamala Harris & Donald Trump

Kamala Harris & Donald Trump

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe rivalja e tij demokrate, Kamala Harris, do të ballafaqohen të martën në debatin e tyre të parë dhe mbase të vetëm që konsiderohet të jetë thelbësor për betejën e tyre drejt Shtëpisë së Bardhë. 

Debati i organizuar nga “ABC News” zhvillohet vetëm tetë javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit, ndërsa të dy kandidatët janë në garë të ngushtë nëpër sondazhe. 

Votimi i parakohshëm do të nisë në disa prej shteteve amerikane vetëm disa ditë pas këtij debati. 

Ballafaqimi do të ketë një rëndësi të madhe veçanërisht për Harrisin, pasi sondazhet tregojnë që më se një e katërta e votuesve nuk dinë mjaftueshëm mbi atë që ajo do të mund të përfaqësonte si presidente. 

Ky debat i përballë për herë të parë të dy kandidatët me njëri-tjetrin, dhe e pason serinë e sulme personale të ndërmarra prej javësh nga Trumpi e aleatët e tij kundër Harrisit, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste. 

Debati konsiderohet të jetë edhe një shans për Harrisin që ta shprehë qëndrimin e saj kundër Trumpit, në çështjet si dënimet dhe mbështetja e tij e hapur për të dënuarit mbi sulmin në Kapitol.