Avionët sulmues rusë që bartnin armë bërthamore kanë hyrë në hapësirën ajrore të Suedisë, raporton Sky News të mërkurën.
Një burim ka thënë se masa ishte një akt i qëllimshëm frikësimi, sipas TV4 News të Suedisë.
Sipas burimit, katër avionë rusë, dy sulmues Sukhoi-24 të shoqëruar nga dy luftarakë Sukhoi-27 – janë ngritur nga baza ajrore e Kaliningradit dhe kanë shkelur hapësirën më 2 mars.
Burimet zbuluan se avionët ishin të pajisur me armë bërthamore.
Për shkak të konfliktit në Ukrainë, Forcat Ajrore Suedeze thuhet se kishin një gatishmëri të shtuar dhe kishin vërejtur se avionët rusë po fluturonin mbi një ishull suedez në Detin Baltik.
Forcat e armatosura suedeze nuk pranuan të komentojnë zyrtarisht nëse avionët sulmues ishin të pajisur me armë bërthamore, por deklaruan se shkelja e hapësirës ajrore duhet të ketë qenë e qëllimshme.
"Ne e kemi analizuar incidentin dhe gjithçka tregon se ata kanë shkelur qëllimisht kufijtë e Suedisë. Shkelja e territorit suedez zgjati për rreth një minutë”, ka thënë shefi i Forcave Ajrore, Carl-Johan Edstrom.
Suedia është shtet neutral dhe jo anëtar i NATO-s.