Grupi militant palestinez, Hamas, ka propozuar një plan armëpushimi në Gaza për katër muaj e gjysmë e cila do të çojë në përfundimin e luftës, në përgjigje të një propozimi të dërguar javën e kaluar nga ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, i cili nuk është bërë i ditur, shkruan Reuters.
Sipas një draft-dokumenti, kundërpropozimi i Hamasit parashikon tre faza që zgjasin 45 ditë secila.
Siç thotë propozimi, Hamasi do të shkëmbente pengjet e mbetura izraelite që kapën më 7 tetor me të burgosurit palestinezë. Rindërtimi i Gazës do të fillonte, forcat izraelite do të tërhiqeshin plotësisht dhe trupat e të vdekurve gjithashtu do të shkëmbeheshin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti gjatë natës [e mërkurë] në Izrael pas takimit me krerët e ndërmjetësve të Katarit dhe Egjiptit në shtytjen më serioze diplomatike të luftës deri më tani që synon arritjen e një armëpushimi të gjatë. Detajet e kundërpropozimit të Hamasit nuk janë raportuar më parë.
Sipas kundërpropozimit të Hamasit, të gjitha gratë izraelite pengje, meshkujt nën 19 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët do të liroheshin gjatë fazës së parë 45-ditore në këmbim të lirimit të grave dhe fëmijëve palestinezë nga burgjet izraelite.
Pengjet e mbetura meshkuj do të liroheshin gjatë fazës së dytë dhe do të shkëmbeheshin në fazën e tretë. Deri në fund të fazës së tretë, Hamasi pret të arrihet marrëveshje për përfundimin e luftës.
Grupi, i cili qeveris Gazën, ka thënë në propozim se dëshiron lirimin e 1500 të burgosurve – prej tyre, një e treta do të zgjidhej nga lista e palestinezëve të dënuar me burgim të përjetshëm nga Izraeli.
Armëpushimi do të rriste gjithashtu fluksin e ushqimit dhe ndihmave të tjera për civilët e Gazës, të cilët po përballen me urinë dhe mungesa të shumta me furnizime bazë.
Izraeli filloi ofensivën ushtarake në Gaza pasi Hamasi vrau 1200 njerëz dhe mori 253 pengje në jug të Izraelit më 7 tetor. Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se të paktën 27.585 palestinezë janë konfirmuar të vrarë në fushatën ushtarake të Izraelit.