Botë

Çka përmban marrëveshja e armëpushimit për Gazën të cilën e pranoi Hamasi

Gaza

Foto: Associated Press

Propozimi për armëpushim në Gazë, të cilin Hamasi e ka pranuar të hënën teksa një përgjigje izraelite pritet deri në fund të javës, parasheh një armëpushim 60-ditor, lirim gradual të pengjeve, tërheqje të trupave izraelite nga pjesë të Gazës dhe diskutime për përfundimin e konfliktit.

Marrëveshja është pothuajse identike me një propozim që Uashingtoni ka paraqitur më parë këtë vit, ka thënë të martën një zëdhënës i ndërmjetësit Katar. Hamasi e kishte hedhur poshtë atë marrëveshje në korrik.

Më poshtë janë detajet kryesore të propozimit për armëpushim, siç janë përshkruar për Reuters nga një udhëheqës i lartë i Hamasit dhe dy burime sigurie egjiptiane, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti:

- Dhjetë pengje izraelite të mbajtura në Gazë do të kthehen së bashku me trupat e 18 të tjerëve, gjatë 60 ditëve. Izraeli thotë se nga 50 pengje të mbajtura nga Hamasi dhe aleatët e tij, 20 besohet se janë gjallë.

- Në këmbim, Izraeli do të lirojë 150 palestinezë të ndaluar që i kishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe 50 palestinezë që i kishte dënuar me më shumë se 15 vjet.

- Për çdo trup që Hamasi kthen, Izraeli do të kthejë trupat e 10 militantëve palestinezë.

- Izraeli do të lejojë që ndihma të hyjë në Gazë me përfshirjen e Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

- Ushtria izraelite do të mbetet në Gazë, por do të tërhiqet në një zonë afërsisht 1 kilometër të gjerë përgjatë kufijve veriorë dhe lindorë të enklavës, që përfshin edhe zonat e Beit Lahiya dhe Shejaia.

- Sapo armëpushimi të hyjë në fuqi, Hamasi dhe Izraeli do të fillojnë negociatat për një armëpushim të përhershëm.

Lexo përditësimet tjera
Gaza

Izraeli do të përgjigjet deri të premten për planin e ri të armëpushimit në Gazë

Shteti izraelit ka thënë se do t'u japë përgjigjen e tij ndërmjetësve ndërkombëtarë deri të premten...