Botë

Hamasi kërkon rol në administrimin e Gazës së pasluftës

Hamas

Foto: Associated Press

Hamasi po kërkon të përfshijë rreth 10,000 oficerë të tij të policisë në një administratë të re palestineze për Gazën, e mbështetur nga SHBA-ja, kanë thënë për Reuters burime të njohura me çështjen. 

Kjo kërkesë ka gjasa të kundërshtohet nga Izraeli, teksa grupi militant po debaton nëse duhet të dorëzojë armët e tij.

Grupi islamist Hamas mban ende kontrollin e më pak se gjysmës së Gazës pas marrëveshjes së armëpushimit të arritur në tetor, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja lidh tërheqjen e mëtejshme të trupave izraelite nga territori, me dorëzimin e armëve nga Hamasi.

Plani me 20 pika për t’i dhënë fund luftës, i cili tashmë ndodhet në fazën e dytë, parashikon që qeverisja e Gazës t’i kalojë Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), një organ teknokrat palestinez nën mbikëqyrjen e SHBA-së, i cili synon të përjashtojë Hamasin.

Në një letër drejtuar stafit të dielën, të parë nga Reuters, qeveria e Gazës e drejtuar nga Hamasi, u ka bërë thirrje më shumë se 40,000 nëpunësve civilë dhe personelit të sigurisë që të bashkëpunojnë me NCAG-në, duke i siguruar se po punonte për t’i përfshirë ata në qeverinë e re.

Kjo do të përfshinte edhe forcën policore prej rreth 10,000 personash të drejtuar nga Hamasi, kanë thënë katër burime të njohura me çështjen, një kërkesë që nuk ishte raportuar më parë. 

Nuk është e qartë nëse Izraeli, i cili ka refuzuar kategorikisht çdo përfshirje të Hamasit në të ardhmen e Gazës, do të pranonte përfshirjen e punonjësve civilë dhe të sigurisë në NCAG.

Planet e Hamasit për forcën e tij policore dhe punëtorët tregojnë për mospërputhje të mëdha mes synimeve të grupit militant dhe Izraelit, teksa Trumpi po ecën përpara me planet e tij.

Javën e kaluar, presidenti amerikan ka organizuar një ceremoni nënshkrimi për të themeluar “Bordin e Paqes”, i cili do të shërbejë si administratë kalimtare për të përcaktuar kornizën dhe për të koordinuar financimin e rindërtimit të Gazës. Korniza përfshin një dispozitë që ndalon “organizatat e huaja terroriste” nga pjesëmarrja në qeverisje.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, i ka thënë Reuters se grupi është i gatshëm t’ia dorëzojë menjëherë qeverisjen NCAG-së.

“Ne kemi besim të plotë se ajo do të veprojë mbi bazën e përfitimit nga personeli i kualifikuar dhe pa shkelur të drejtat e askujt që ka punuar gjatë periudhës së mëparshme”, ka thënë Qassem, duke iu referuar përfshirjes së 40,000 punonjësve.