Botë

Hakmarrja e Putinit, Rusia bombardon Kievin

kiev

Foto: Associated Press

Rusia ka lëshuar një sulm masiv me raketa balistike dhe dronë në drejtim të kryeqytetit ukrainas të Kievit brenda natës, duke lënë të vrarë katër persona, pas zotimit të presidentit rus, Vladimir Putin për t’iu kundërpërgjigjur operacionit “Rrjeta e Merimangës”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të premten se Rusia ka lëshuar rreth 400 dronë dhe 40 raketa balistike, teksa iu bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të rrisin presionin mbi Kremlinin që t’i jap fund luftës.

“Nëse ndokush nuk ushtron presion dhe i jep luftës më shumë kohë që të marrë jetë, ata janë bashkëpunëtorë dhe ndajnë përgjegjësi. Duhet të veprojmë me vendosmëri”, ka shkruar Zelensky në rrjete sociale.

Raketat dhe dronët goditën rëndë kryeqytetin ukrainas, duke shkaktuar zjarre të mëdha në ndërtesa banimi dhe duke detyruar mbylljen e metrosë pasi një tren u godit.

Kjo ishte pjesë e një sulmi mbarëkombëtar, gjatë të cilit u lëshua një kombinim i raketave balistike, raketave lundruese, raketave Kalibr dhe dhjetëra dronëve.

Pavarësisht përpjekjeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, autoritetet në Kiev raportuan se tre punonjës emergjence ishin vrarë dhe rreth 20 persona ishin lënduar, prej të cilëve 16 janë shtruar në spital. 

“Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë ende nëpër disa lokacione”, ka thënë kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, përmes një shkrimi në rrjetin social Telegram.

Sipas ministrisë së Punëve të Brendshme, tre viktimat ishin zjarrfikës të shërbimit shtetëror të emergjencave, të cilët humbën jetën ndërsa po reagonin ndaj sulmit. 

“Ata po punonin nën zjarr për të ndihmuar njerëzit”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Funksionimi i shërbimit të metrosë së qytetit u ndërpre pasi një sulm rus dëmtoi një tren që ishte në lëvizje midis stacioneve, sipas administratës ushtarake të qytetit. Sulmi ajror shkaktoi gjithashtu zjarre në ndërtesa banimi në pjesë të ndryshme të Kievit.

Një bllok banimi në distriktin Solomianskyi pësoi dëme të rënda në katet e sipërme, ku u shkatërruan dritaret, kornizat e ballkoneve dhe pjesë të murit të jashtëm.

 

 

Më shumë se 2,000 familje në pjesët lindore të Kievit mbetën pa energji elektrike në mëngjesin e së premtes.

Forcat e Armatosura të Ukrainës (AFU), në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU), kanë eliminuar me sukses një lëshues të raketave balistike në Bryansk të Rusisë.

Bazuar në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm, operacioni e kishte nën shënjestër njësinë raketore ruse nga Brigada e 26-të, të vendosur pranë qytezës Klintsy në Bryansk.

“Falë zbulimit efektiv dhe punës së koordinuar të njësive AFU dhe SBU, objektivat u goditën me sukses”, thuhet më tutje në njoftim.

Nga pamjet e filmuara shihet momenti kur një raketë e cila sipas të gjitha gjasave kishte për cak Kievin, u shpërthye në ajër.

 

Sulmi u bë pasi Rusia kishte premtuar hakmarrje ndaj Ukrainës pas një sulmi të guximshëm me dronë të disa dite më parë, ndaj katër bazave ajrore ruse që po mbanin bombardues strategjik, i njohur si “Operacioni Rrjeta e Merimangës”.

Putini e kishte informuar presidentin amerikan, Donald Trump, në kuadër të telefonatës mes dy liderëve të mërkurën, se Rusia do të përgjigjej ndaj operacionit që Ukraina pretendon se ka dëmtuar ose shkatërruar 41 avionë ushtarakë. 

“Ata shkuan thellë në territorin e Rusisë dhe [Putini] më tha se nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të sulmojmë për shkak të kësaj, dhe ndoshta nuk do të jetë e bukur”, ishte shprehur Trump para gazetarëve.

Nga ana tjetër, Trumpi ka thënë se ndoshta është më mirë që Ukraina dhe Rusia të “luftojnë edhe pak” përpara se të kërkohet paqja e menjëhershme, e madje u tregua skeptik mbi suksesin që mund të prodhojë procesi negociator.