Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se gjatë bisedës së tij telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, e cila zgjati mbi një orë, të dy liderët kanë diskutuar rreth sulmeve me dronë të Ukrainës në Rusi dhe zhvillimeve lidhur me Republikën Islamike të Iranit, ka raportuar The Guardian.
Presidenti amerikan e ka cilësuar telefonatën si konstruktive porse ka theksuar se “kjo bisedë nuk do të dërgojë në paqe të menjëhershme”.
Në kuadër të bisedës, Trumpi ka theksuar se Putini i ka thënë që Rusisë i duhet të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve me dronë të Ukrainës.
“Putini ka thënë se ai duhet të reagojë kundër sulmeve më të fundit mbi bazat ajrore”, ka shtuar Trump, referencë kjo për operacionin “Rrjeta e Merimangës”, që u realizua disa ditë më parë përmes lëvizjes së dronëve dhe eksplozivëve ukrainas brenda Rusisë, duke sulmuar katër baza ajrore.
Trumpi gjithashtu ka thënë se Putini i ka sugjeruar atij se mund të marrë pjesë në bisedimet bërthamore me Iranin, për të lehtësuar arritjen e marrëveshjes.
“I thashë presidentit Putin se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe, për këtë çështje, besoj se ishim në një mendje”, ka shkruar ai.