Presidenti Biden ka ndërmarrë një rishikim të kërcënimit që përbëjnë sulmet kibernetike dhe do ta diskutojë çështjen e strehimit të hakerëve të tillë në takimin e tij të këtij muaji me presidentin rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë
Sulmi kibernetik mbi JBS-në, paketuesin më të madh të mishit në botë, nga një grup kriminal me seli në Rusi, ka forcuar vendosmërinë e administratës së presidentit Joe Biden për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për hakimet e kushtueshme – edhe nëse ato nuk janë drejtpërsëdrejti të lidhura me Kremlinin.
Presidenti Biden ka ndërmarrë një rishikim të kërcënimit që përbëjnë sulmet kibernetike dhe do ta diskutojë çështjen e strehimit të hakerëve të tillë në takimin e tij të këtij muaji me presidentin rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti Biden pa dyshim se mendon që presidenti Putin dhe Qeveria ruse kanë rol në ndalimin dhe parandalimin e sulmeve të tilla”, ka thënë të mërkurën sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Sulmi ndaj JBS-së përbën të tretin më të madh të këtillë që lidhet me hakerët nga Rusia, prejse Bideni ka marrë detyrën në janar. Ka pasuar ato parapraket ndaj Colonial Pipeline Co dhe SolarWinds. JBS-ja është një kompani braziliane me operacione në SHBA.
Shtëpia e Bardhë planifikon që ta shfrytëzojë samitin e 16 qershorit midis Bidenit dhe Putinit për t’i përçuar mesazh të qartë për çështjen liderit rus, kanë thënë zyrtarët e afërt me administratën. Hapi i radhës mund të jetë destabilizimi i serverëve kompjuterikë të përdorur për ndërmarrjen e harkimeve të tilla, kanë pretenduar disa ekspertë kibernetikë.
Bideni, i cili vazhdimisht ka adresuar kritika ndaj Rusisë për burgosjen e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, dhe për grumbullimin ushtarak afër Ukrainës, mësohet se do t’i nxisë edhe aleatët në NATO, liderët në Bashkimin Evropian dhe grupin e shtatë vendeve më të zhvilluara për ta mbështetur një qëndrim të ashpër dhe unik karshi Rusisë gjatë samiteve të ndara para takimit me Putinin.
Është duke u fuqizuar konsensusi midis aleatëve perëndimorë se një veprim më i sertë është i nevojshëm, kanë thënë disa zyrtarë, duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të martën se është duke u angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me Qeverinë ruse. Njoftimi shpërfaq një ndryshim të qartë karshi një politike të re dhe më të ashpër amerikane ndaj Rusisë lidhur me hakimet, kanë theksuar zyrtarët aktualë dhe të dikurshëm të sigurisë amerikane dhe analistë të fushës.
Përgjigjja më e sertë e Shtëpisë së Bardhë ka ardhur pasi që senatori Lindsey Graham dhe republikanë të tjerë kanë kritikuar administratën Biden se ishte tepër “e dobët” në përgjigjen ndaj sulmit kibernetik të muajit të shkuar ndaj “Colonia Pipeline”, naftësjellësi më i madh në SHBA, ndërmarrë nga DarkSide, një grup ky që ka lidhje me Rusinë.
James Lewis, një ekspert i kibernetikës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ka thënë se njerëzit që e informojnë Bidenin presin një gjuhë më të sertë prej tij gjatë takimit me shefin e Kremlinit.
“Bideni është i ashpër. Do t’i thotë Putinit: ‘Mjaft ishte. A do të ndalesh apo ne do të ndërmarrim diçka në kundërpërgjigje”, ka thënë Lewis.
Komuniteti amerikan i Inteligjencës dhe ushtrisë ka pasur prej kohësh kapacitete për t’i dëmtuar serverët kompjuterikë të përdorur nga hekerët privatë në vendet e tjera, por kryesisht është përmbajtur nga veprimi, duke i marrë për bazë shqetësimet diplomatike rreth pasojave.
Ama hakimi në JBS mund ta sinjalizojë një pikë kthese.
Lewis ka thënë se shtimi i sulmeve ka lënë në hije shqetësimet diplomatike muajve të fundit.
“Rusët nuk shohin ndonjë arsye për t’u ndalur. Po qe se nuk ndërmarrim ndonjë gjë, gjëra të tilla do të vazhdojnë të ndodhin”, ka thënë ai. Andaj, ekspertët e Bidenit po punojnë në një doktrinë të re.
Përshtypja e përgjithshme është se hakerët me seli në Rusi do t’i shtojnë sulmet ndaj kompanive amerikane, në përgjigje ndaj çdo lloj vendimi politik të ndërmarrë në samitet e ardhshme të G7-s, NATO-s dhe BE-së. Kjo do t’i jepte SHBA-së edhe më shumë arsye për ta rrënuar infrastrukturën e përdorur për sulme.
“Qeveria amerikane duhet të jetë e përgatitur për t’i përdorur kapacitetet e rrënimit të infrastrukturës – pa marrë parasysh nëse ato i përkasin një qeverie apo ndonjë grupi të ndërlidhur – po qe se sulmet kibernetike përshkallëzojnë”, ka theksuar Lewis.