Botë

Haiti në gjendje të emergjencës pas vrasjes së presidentit brenda shtëpisë

Presidenti haitian, Jovenel Moise, është qëlluar për vdekje nga sulmues të pajisur me armë të kalibrit të lartë në shtëpinë e tij private gjatë së mërkurës, duke nxitur zemërim ndërkombëtar midis frikës për zhytjen në kaos të vendit të varfër karaibean.

Vrasja, e cila është dënuar nga Washingtoni deri në vendet fqinje të Amerikës Latine, ka ndodhur në kohën e shtimit të dhunës nga bandat në Port-au-Prince muajve të fundit, nxitur nga kriza e thelluar humanitare dhe trazirat politike.

Kryeministri i përkohshëm, Claude Joseph, ka shpallur gjendje të emergjencës pas një takimi të Kabinetit, të thirrur lidhur me paqartësitë se kush do ta merrte udhëheqjen e vendit.

“Bashkëkombës të mi, ruajeni qetësinë, ngase situata është nën kontroll”, ka bërë thirrje ai.

Bashkëshortja 53-vjeçare e presidentit, Martine Moise, është plagosur gjithashtu në sulmin që ndodhi në orët e hershme të së mërkurës në shtëpinë e çiftit në kodrat sipër kryeqytetit Port-au-Prince. Ajo i është nënshtruar trajtimit mjekësor, pas plagëve të marra.

“Informatat e hershme sugjerojnë se sulmuesit ishin një grup personash që flisnin anglisht dhe spanjisht. Ata ishin të pajisur me armë të kalibrit të lartë”, ka thënë Joseph, në adresimin para kombit. Ai ka thënë se vrasja përbënte një “akt barbar”.

Në videot që kanë qarkulluar nëpër mediat sociale, vërtetësia e të cilave nuk është konfirmuar, sulmuesit pretendojnë të jenë pjesëtarë të Administratës amerikane të Kundërdrogës (DEA) teksa hyjnë në rezidencën me rojë të Moises. Një zëdhënës i DEA-s nuk u është përgjigjur kërkesave për ta komentuar rastin.

Joseph ka thënë se policia dhe ushtria e kanë nën kontroll gjendjen e sigurisë. Rrugët e kryeqytetit që rëndom gumëzhijnë, me 1 milionë banorë, ishin të qeta dhe të boshatisura të mërkurën, pas sulmit dhe shkëmbimit të shkurtër të zjarrit gjatë natës.

Aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit është mbyllur, kanë raportuar mediat lokale.

Në kohën e polarizimeve të thella politike dhe urisë në rritje në Haiti, mbizotëron frika për shpërthimin e dhunës.

Republika Dominikane ka mbyllur qarkullimin në kufirin që ndan me Haitin nëpërmjet ishullit Hispaniola, përveç për shtetasit e saj që synojnë kthimin në vend.

“Ky krim është sulm ndaj rendit demokratik në Haiti dhe në rajon”, ka thënë presidenti i Republikës Dominikane, Luis Abinader.

Liderët në mbarë botën kanë dënuar vrasjen dhe kanë bërë thirrje për qetësi.

“Jemi në gatishmëri për të ndihmuar teksa vazhdojmë të punojmë për një Haiti të sigurt dhe të qetë”, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden, duke e quajtur vrasjen si “të neveritshme” dhe duke e cilësuar situatën si shqetësuese.

Kryeministri Joseph u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të mbajnë një takim të Këshillit të Sigurimit sa më parë që është e mundur.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës së tij, porse ka thënë që trupi botëror do “të vazhdojë që të qëndrojë përkrah qeverisë dhe popullit të Haitit”.

Nuk është ende e qartë se kush do ta pasojë Moisen si president. Ai e kishte emëruar një kryeministër të ri gjatë javës, i cili ende duhet që ta bëjë betimin. Shefi i Gjykatës Supreme për Drejtësi – një tjetër kandidat për këtë post bazuar në Kushtetutën e vendit, ka vdekur muajin e shkuar nga COVID-19 dhe duhet ende që të zëvendësohet.

Haiti, një vend me rreth 11 milionë banorë dhe njëri prej më të varfërve në hemisferën perëndimore, është përballur me vështirësi për të siguruar stabilitet që nga rënia e diktaturës Duvalier më 1986 dhe është ballafaquar me një sërë grushte të shtetit dhe intervenime ndërkombëtare.

Qëkur është emëruar president më 2017, Moise – një eksportues bananesh që u bë politikan është përballur me protesta të shumta rreth pretendimeve për korrupsion dhe kundër mënyrës së tij të menaxhimit me ekonominë.