Në hapjen e samitit të klimës Cop30 në Belem të Brazilit, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi se dështimi për ta kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C do të ishte “dështim moral dhe neglizhencë vdekjeprurëse”. Ai akuzoi industrinë e karburanteve fosile dhe disa vende të fuqishme për pengimin e veprimit klimatik, ndërsa liderë botërorë si Lula da Silva, Gustavo Petro dhe Princi William kërkuan drejtësi klimatike dhe mbështetje për vendet e varfra. Samiti u shënua nga tensione politike dhe mungesa e SHBA-së, teksa bota përballet me rrezikun
Dështimi për ta kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius është “dështim moral dhe neglizhencë vdekjeprurëse”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Në hapjen e samitit të klimës Cop30 në qytetin brazilian Belem, Guterres paralajmëroi se madje edhe një rritje e përkohshme mbi kufirin 1.5°C do të ketë pasoja dramatike për planetin.
Ai tha se kjo mund të çojë në shkatërrimin e ekosistemeve, të ekspozojë miliarda njerëz ndaj kushteve të pabanueshme dhe ta rrisë rrezikun për luftime dhe pasiguri në botë.
Guterres kritikoi korporatat e mëdha.
“Shumë korporata të mëdha po bëjnë fitime rekorde nga shkatërrimi i klimës, ku miliarda po shpenzohen në lobim, dezinformim të publikut dhe pengim të përparimit”, tha Guterres.
Ai e quajti objektivin për ta mbajtur ngrohjen nën 1.5°C “vijë të kuqe për jetën në Tokë” dhe kërkoi “ndryshim rrënjësor të mënyrës së të menduarit”.
“Çdo rritje do të thotë më shumë uri, më shumë njerëz të zhvendosur dhe më shumë humbje, sidomos për ata që kanë më së paku faj. Ky është dështim moral dhe neglizhencë vdekjeprurëse”, tha ai.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, emetimet e gazeve serrë kanë arritur nivelin më të lartë ndonjëherë, dhe viti 2025 pritet të jetë viti i dytë ose i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i matjeve. Të gjithë 10 vitet më të nxehta kanë qenë në dekadën e fundit.
Guterres pranoi se ka disa përmirësime, por shumë të ngadalta. Edhe nëse vendet zbatojnë plotësisht planet e tyre për uljen e emetimeve, bota do të shkojë drejt një rritjeje prej rreth 2.3°C - më mirë se më parë, por ende e rrezikshme.
Kjo arritje është kryesisht falë Marrëveshjes së Parisit (2015) dhe revolucionit të energjisë së pastër, por disa vende të fuqishme po tërhiqen nga veprimi klimatik, sidomos SHBA-ja.
Guterres akuzoi industrinë e naftës, gazit dhe qymyrit për pengimin e ndryshimeve, duke thënë se ato marrin ndihma të mëdha shtetërore dhe mbështetje politike, ndërsa dëmtojnë të gjithë të tjerët.
Samiti po mbahet në një kohë të trazuar, kur shumë vende janë të përfshira në luftëra dhe SHBA-ja, sipas Guterresit, po pengon përpjekjet për bashkëpunim global.
Ding Xuexiang, zëvendëskryeministër i Kinës, tha se kalimi drejt energjisë së gjelbër kërkon qarkullim të lirë të teknologjive të pastra dhe heqjen e pengesave tregtare, duke theksuar se Kina do të arrijë kulmin e përdorimit të karbonit brenda pesë vjetëve të ardhshëm.
Gustavo Petro, presidenti i Kolumbisë, sulmoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se është “kundër njerëzimit”. Ai paralajmëroi se nëse SHBA-ja nuk e ul ndotjen, do të ndodhë një kolaps klimatik.
“Ky është një apokalips i vërtetë”, tha ai. Përveç Trumpit, ai fajësoi edhe grupet që punojnë për industrinë e naftës dhe që përpiqen të ndikojnë tek vendimmarrësit në samitet e klimës.
“Ata po veprojnë kundër jetës. Kjo është e gabuar dhe jonjerëzore”, shtoi ai.
Ai tha se bota nuk është më vetëm përballë ndryshimeve të klimës, por tani po kalon nga ndryshimi në krizë dhe drejt shembjes së klimës.
Shumë vende tashmë po përballen me katastrofa klimatike. Princi William paralajmëroi se po bota po afrohet me rrezikshmëri pranë pikë që mund të prishin oqeanet, pyjet dhe shkrijnë akullnajat. Ai kërkoi më shumë mbështetje për popujt indigjenë, të cilët janë shembuj të jetesës në harmoni me natyrën.
Vendet e jugut global kërkojnë që veriu industrial t’i ndihmojë financiarisht për t’u përshtatur me motin ekstrem dhe për kalimin në energji të pastër, por premtimet prej 1.3 trilionë dollarësh në vit nuk janë përmbushur.
Guterres u kërkoi vendeve të pasura të paraqesin plan të qartë për realizimin e këtij financimi.
E kryeministri britanik Keir Starmer tha se Britania është “plotësisht e përkushtuar” ndaj luftës kundër krizës klimatike, sepse kjo do të krijojë vende pune dhe mund të sjellë fitime të mëdha për ekonominë.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, tha se ky duhet të jetë “samiti i së vërtetës”. Ai paralajmëroi se bota po shkon drejt një ngrohjeje prej 2.5°C, që mund të shkaktojë 250 mijë vdekje çdo vit dhe ta ulë ekonominë botërore me 30%.
Ai shtoi se nuk ka zgjidhje për krizën klimatike pa zvogëluar pabarazinë dhe se liderët duhet të frymëzohen nga popujt indigjenë që jetojnë në paqe me natyrën.
E megjithëse u kritikua shumë nga liderët pjesëmarrës për tërheqjen e vendit të tij nga samiti, presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takim, e madje as nuk ka dërguar delegacion.