Ruby Franke, nënë e gjashtë fëmijëve, e cila jepte këshilla për prindërit në internet përmes një kanali të njohur në YouTube, të martën u dënua me katër burgime nga një deri në 15 vjet secila, për akuzat e abuzimit me fëmijët, shkruan The Guardian.
42-vjeçarja, e cila kishte 2.3 milionë ndjekës në kanalin tashmë të fshirë “8 Passengers”, u arrestua në qytetin jugor të Utahit, Ivins gushtin e kaluar, pasi djali i saj 12-vjeçar i kequshqyer dhe me plagë u ngjit në një dritare në shtëpinë e Jodi Hildebrandtit, pronare e një biznesi këshillimi për vetë-përmirësim, për të kërkuar ushqim dhe ujë nga fqinjët.
Një nga vajzat e Frankes u gjet më vonë në gjendje të ngjashme të të kequshqyerit në shtëpinë e Hildebrandtit. Pas arrestimit të Frankes, vajza e saj e madhe Shari Franke, 20 vjeçe, ndau një foto që më vonë u fshi në Instagram të oficerëve të policisë me mbishkrimin: “Më në fund”.
Franke dhe Hildebrandt, të cilat bashkëpunuan në videot e këshillimit për prindërit, u deklaruan fajtore për abuzim të rëndë të shkallës së dytë të fëmijëve në dhjetor. Hildebrandti u dënua njëjtë si Franke të martën [dje].
Në dënimin e saj, Franke u kërkoi falje fëmijëve të saj, duke thënë se kishte “besuar se errësira ishte dritë dhe e drejta ishte e gabuar.
“Unë do të bëja gjithçka në këtë botë për ju. Unë mora nga ju gjithçka që ishte e butë, e sigurt dhe e mirë”, ka thënë ajo.