Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Greqia dënon një egjiptian me gati tre shekuj burg

Një peshkatar nga Egjipti, 45-vjeçari H. Elfallah, është dënuar me burg prej gati tre shekujsh.

Një gjykatë në Greqi e dënoi atë në fillim të kësaj jave për, siç thuhet në aktakuzë, kontrabandën e pothuajse 500 njerëzve nga Libia në Greqi në nëntor të vitit të kaluar, duke përfshirë 336 burra, 10 gra, 128 djem dhe nëntë vajza, shkruan Euronews.

Ai u dënua me 280 vjet burg, pavarësisht paralajmërimeve se mund të dënohej me 4760 vjet burg - dhjetë vjet për çdo person të kontrabanduar.

Aktivistët e të drejtave të njeriut janë të pakënaqur me vendimin, duke pretenduar se gjykata përdori peshkatarin, i cili drejtonte varkën që mbante emigrantët, si një kok turku. Elfallah u gjet pasi arriti në portin e Kretes me varkë në fund të nëntorit 2022.

Roja bregdetare shpëtoi emigrantët që ndodheshin në anijen e mbërritur nga Libia dhe destinacioni përfundimtar ishte Italia.

Ka pasur kryesisht emigrantë nga Siria, Egjipti, Pakistani, Sudani dhe Palestina. Sipas OJQ-së për të drejtat e njeriut Borderline-Europe, shtatë persona u arrestuan menjëherë, duke përfshirë Elfallah dhe djalin e tij 15-vjeçar.

Edhe Britania e dënon me 25 vjet burgim egjiptianin që i kontrabandoi mbi 3.000 emigrantë Botë Britania e dënon me 25 vjet burgim egjiptianin që i kontrabandoi mbi 3.000 emigrantë

Kjo organizatë pretendon se Elfallah nuk është përgjegjës për kontrabandën e emigrantëve dhe se ai nuk ka dashur ta përdorë mjetin lundrues, por se është detyruar ta bëjë këtë nga kushtet e pafavorshme atmosferike. Elfallah dhe djali i tij dyshohet se donin të ribashkoheshin me djalin ose vëllanë e tyre, i cili jeton në Britaninë e Madhe.

Duke pasur parasysh që kontrollet dhe ligjet në Evropë po bëhen gjithnjë e më rigoroze, kontrabandistët zakonisht ua lënë emigrantëve që të udhëtojnë vetë nëpër Mesdhe ose Detin Egje.