Botë

Gratë protestuese po abuzohen seksualisht nëpër burgjet iraniane

Ajo ka shkruar se një aktiviste e njohur i kishte duart dhe këmbët e lidhura në një grep sipër kokës së saj në automjetin që e çonte në burg - dhe më pas u sulmua seksualisht nga oficerët e sigurisë. Mohammadi ka treguar mavijosjet dhe plagë në trupin e saj.

Kryeaktivistja për të drejtat e njeriut në Iran ka shkruar një letër nga burgu për t’ia rrëfyer BBC-së detajet se si gratë e arrestuara së fundmi në protestat kundër qeverisë po abuzohen seksualisht dhe fizikisht nëpër burgje.

Narges Mohammadi ka thënë se sulmet e tilla janë bërë të zakonshme në protestat e fundit. Ajo po vuan burgimin e gjatë në burgun më famëkeq të Teheranit, “Evin”.

Protestat nisën me vdekjen në paraburgim të 22-vjeçares, Mahsa Amini, e arrestuar për mosmbajtje të hixhabit. Ajo u arrestua në mesin e shtatorit nga policia e moralit që e kishte akuzuar se e kishte veshur keq hixhabin.

Më shumë se 500 protestues, përfshirë 69 fëmijë, kanë vdekur në këto protesta, teksa mijëra të tjerë janë arrestuar, kanë bërë të ditur aktivistët për të drejtat e njeriut. Në këto protesta janë vrarë dhjetëra anëtarë të shërbimit iranian të sigurisë.

Ata që janë arrestuar besohet se janë torturuar.

Mohammadi është zëvendësshefe e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e themeluar nga laureatja e Nobelit, Shirin Ebadi. Që prej vitit 2011 është burgosur disa herë. Së fundmi po mbahet në burg për përhapje të propagandës.

Këtë vit ajo është përfshirë në listën e BBC-së prej 100 grave frymëzuese dhe më me ndikim në botë.

Të burgosurit e shquar politikë në Iran si Mohammadi, të cilët nuk janë në izolim, shpesh janë në gjendje të komunikojnë me botën e jashtme nëpërmjet familjeve të tyre ose aktivistëve të tjerë.

Mohammadi në letrën e saj ka shkruar se disa nga gratë e arrestuara gjatë demonstratave të fundit janë transferuar në repartin e grave në burgun Evin. Kjo i dha asaj shans për të dëgjuar detaje tronditëse të abuzimit që pësuan.

Ajo ka shkruar se një aktiviste e njohur i kishte duart dhe këmbët e lidhura në një grep sipër kokës së saj në automjetin që e çonte në burg - dhe më pas u sulmua seksualisht nga oficerët e sigurisë. Mohammadi ka treguar mavijosjet dhe plagë në trupin e saj.

Ajo thotë se një grua tjetër që u arrestua në rrugë u mor me motoçikletë nga dy oficerë sigurie - një përpara dhe një prapa - dhe u sulmua vazhdimisht.

Transmetuesi shtetëror iranian ka mohuar raportet se forcat e sigurisë kanë përdorur përdhunim dhe abuzim seksual ndaj protestuesve femra.

Një raport i 19 dhjetorit ka thënë se të burgosurat mbaheshin në ambiente të drejtuara nga staf tërësisht femra, duke shtuar se pretendimet për përdhunim në mediat perëndimore ishin “thashetheme” dhe “të pabaza”.

Por Irani gjithashtu vazhdon të shtypë shumë raportimin e brendshëm të protestave, me një raport të fundit që sugjeron se tani ishte burgu i tretë më i madh i gazetarëve në botë.

Mohammadi thotë se edhe pse raportimi i abuzimit mund të çojë në frikësimin e familjeve të grave në paraburgim, ajo beson se është e nevojshme të ekspozohet ajo që po ndodh - në mënyrë që të përpiqet t'i japë fund.