Dëshmitë e grave braziliane dhe dokumentet e shqyrtuara nga BBC sugjerojnë se një rrjet i lidhur me agjentin e modelimit Jean-Luc Brunel mund të ketë rekrutuar vajza të reja nga Amerika e Jugut për financierin amerikan Jeffrey Epstein. Disa prej tyre tregojnë se si u tërhoqën me premtime për modelim dhe u përfshinë në rrethin e tij. Autoritetet braziliane kanë nisur tashmë një hetim për të zbardhur mënyrën se si mund të ketë funksionuar ky rrjet.
“Nëse do ta kisha kundërshtuar nënën time dhe do të kisha shkuar në New York, çfarë mund të më kishte ndodhur?” pyet Glaucia Fekete.
Në vitin 2004, kur ishte 16 vjeçe dhe jetonte në një fshat brazilian, ajo po hidhte hapat e parë në botën e modelimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAjo tregon se agjenti francez i modeleve, Jean-Luc Brunel, kishte vizituar shtëpinë e familjes së saj për ta bindur nënën që ta lejonte të merrte pjesë në një konkurs modelimi në Ekuador. Brunel më vonë vrau veten në burg, ndërsa akuzohej për përdhunim, sulm seksual dhe për rekrutimin e vajzave për financierin amerikan Jeffrey Epstein, i njohur për skandalet e abuzimeve seksuale.
Familja e saj nuk e njihte Brunelin atëherë; ai ishte prezantuar përmes një agjenti të njohur brazilian që zbulonte modele të reja.
Një hetim i BBC News Brasil ka gjetur prova se Brunel përdorte agjenci modelimi të lidhura me të për të kërkuar në mënyrë aktive vajza dhe gra të reja nga Amerika e Jugut për Epstein, si edhe për t’ua rregulluar vizat që të udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër grua braziliane, e cila thotë se kishte pasur një marrëdhënie me Epstein, i tregoi BBC-së vizën e saj amerikane. Në dokument figuronte si sponsor një nga agjencitë e Brunelit, edhe pse ajo thotë se nuk kishte bërë kurrë ndonjë punë modelimi për të dhe se dokumentet e udhëtimit ishin rregulluar vetëm që ajo të mund ta vizitonte Epsteinin.
Nëna e Glaucias kishte dyshime për Brunelin, por ai dukej “shumë simpatik dhe bindës”. Në fund, ajo pranoi që vajza e saj të shkonte në Ekuador pa të. Adoleshentja udhëtoi me ekipin e Brunelit në Guayaquil për konkursin “Models New Generation”. Në atë kohë, gazetat lokale raportonin se pjesëmarrëset ishin nga 15 deri në 19 vjeç.
Glaucia thotë se konkursi kaloi pa probleme të mëdha, edhe pse ajo filloi të dyshonte kur nuk i lejohej të kontaktonte familjen.
Një tjetër pjesëmarrëse, nga Evropa Perëndimore, e cila në atë kohë ishte 16 vjeçe, kujton se sjellja e Brunelit i dukej e çuditshme. Ajo kërkoi të mbetej anonime, por në këtë rrëfim BBC i referohet si Laura.
“Ishte e çuditshme mënyra si sillej dhe fakti që rrinte vazhdimisht me vajzat e reja braziliane… sillej si një kloun dhe rrinte vetëm me vajza shumë të reja”, thotë ajo.
Laura beson se, edhe pse konkursi ishte “legjitim” dhe i organizuar mirë, “ai e dinte saktësisht cilat vajza ishin më të pambrojtura”.
“Dukej sikur kontrollonte financat e tyre”, thotë ajo. “Vajzat nga Brazili dhe nga vendet e Evropës Lindore dukeshin se ishin shënjestra kryesore”.
Glaucia tregon se në fund të udhëtimit, Brunel i kishte propozuar ta çonte në New York “për të marrë pjesë në shfaqje mode”, me të gjitha shpenzimet e paguara. Në atë moment duhej të kontaktonin nënën e saj, Barbara, për të marrë lejen.
Përgjigjja e Barbaras ishte e prerë:
“Jo. As që bëhet fjalë.
Ata po kërkonin vetëm fëmijë, të mitura”, thotë ajo. “Fatkeqësisht, ata gjetën vajzën time”.
Ajo ia ndaloi Glaucias çdo përfshirje tjetër në modelim dhe ndërpreu çdo lidhje me rrjetin e Brunel.
“Ishte vërtet një shpëtim në momentin e fundit”, thotë Glaucia.
Në dokumentet e publikuara nga qeveria amerikane, BBC News Brasil gjeti të dhëna që tregojnë se Epstein ndodhej në Guayaquil më 24 dhe 25 gusht 2004, pikërisht në kohën kur zhvillohej finalja e konkursit të modelimit. Në dokumente kishte gjithashtu indikacione se të paktën një modele nën moshën 16 vjeç, që kishte marrë pjesë në atë aktivitet, kishte fluturuar me avionin e Epstein të paktën dy herë gjatë të njëjtit vit.
Duke e parë sot me sytë e përvojës, Glaucia thotë: “Pa e ditur fare, unë isha në mes të asaj stuhie”. “Ka qenë nëna ime ajo që më shpëtoi”.
“Ai më zgjodhi mua”
Një tjetër grua braziliane, të cilës BBC i referohet si Ana për të mbrojtur identitetin e saj, thotë se Jean-Luc Brunel dhe biznesi i tij i modelimit luajtën një rol kyç në krijimin dhe lehtësimin e marrëdhënies së saj me Jeffrey Epstein.
Ana tregon se fillimisht u rekrutua nga një grua braziliane në fillim të viteve 2000 në Sao Paulo.
Rrëfimi i saj, i mbështetur nga dokumente të shqyrtuara nga BBC dhe i verifikuar me të dhëna të Departamentit amerikan të Drejtësisë tregon se si Brunel ndihmonte në rregullimin e vizave amerikane për vajza braziliane.
Ana thotë se u largua nga qyteti i saj në jug të Brazilit pasi një grua që jetonte në Sao Paulo i kishte premtuar mundësi për modelim. Por, sapo mbërriti atje, gruaja i mori dokumentet dhe i tha se tani i detyrohej para për udhëtimin dhe fotografitë. Sipas Anës, shumë shpejt e kuptoi se nuk kishte asnjë punë modelimi.
“Ajo ishte një tutore prostitucioni. Pa e kuptuar mirë çfarë po ndodhte, ajo filloi të më shfrytëzonte”, thotë Ana.
Sipas saj, një nga klientët ishte Jeffrey Epstein.
Ajo përshkruan se si, disa javë pasi kishte mbushur 18 vjeç, gruaja e çoi në shtëpinë e një biznesmeni të njohur në Sao Paulo. Atje, sipas saj, e dëgjoi atë të fliste për Epstein duke e quajtur “mbreti i botës” dhe duke thënë: “Atij i pëlqejnë vajzat më të reja”.
Disa ditë më vonë, ajo thotë se u dërgua bashkë me dy gra të tjera në një hotel luksoz në Sao Paulo, ku Epstein do të zgjidhte njërën prej tyre.
“Ai më zgjodhi mua”, thotë ajo.
Ana tregon se shkoi në një dhomë me Epstein, ku ai i kërkoi t’i hiqte rrobat.
“Gjithçka që donte ishte të më shikonte ndërsa prekte veten. Ishte e neveritshme, por nga të gjitha të këqijat ishte më e vogla”, thotë ajo.
Dokumentet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, përfshirë emaile dhe regjistra fluturimesh, tregojnë se Epstein ndodhej në Brazil në atë periudhë.
Ana thotë se disa ditë më vonë ai e ftoi në një festë në qytet, ku ajo u takua për herë të parë me Jean-Luc Brunel. Sipas saj, agjenti i modelimit u bë shumë shpejt personi kryesor që ndihmoi në rregullimin e vizës amerikane për të.
Ajo shton se gjatë festës Epstein i tha se të nesërmen do të shkonte në Paris dhe se kishte rregulluar që ajo të udhëtonte me të.
Rruga e vizës
Duke përshkruar udhëtimin në Francë, Ana thotë: “Ai më jepte 300 dollarë. Dilja për shëtitje dhe kur kthehesha i jepja kusurin, por ai më thoshte ta mbaja. Më testonte duke lënë para në dhomën time dhe unë ia ktheja, ndërsa ai më thoshte se mund t’i mbaja”.
Sipas saj, më pas Epstein i tha se kishte rregulluar gjithçka që Brunel ta punësonte në agjencinë e tij të modelimit në New York City dhe se gruaja që e kishte rekrutuar i kishte dorëzuar dokumentet e saj.
Ana i tregoi BBC-së pasaportën e saj, ku ndodhej një vizë biznesi amerikane me shënimin e agjencisë që Brunel kishte krijuar në SHBA, Karin Models of America.
Ajo thotë se nuk ka punuar kurrë për këtë agjenci, por i ishte thënë se dokumentet do të shërbenin për të mbështetur udhëtimin e saj në SHBA dhe se e vetmja arsye për vizën ishte vizita te Epstein.
Deklarata e saj përputhet me dokumente të tjera. Dosjet gjyqësore dhe dokumentet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë tregojnë se Brunel përdorte agjencinë e tij - fillimisht “Karin Models of America” dhe më pas “MC2 Model Management” - për të tërhequr vajza nga disa vende, përfshirë edhe të mitura.
Në të njëjtat dokumente përfshihet edhe dëshmia e një ish-punonjësi të “MC2” në SHBA, i cili tha se Epstein paguante për vizat që rregulloheshin nga agjencia e Brunelit në Amerikë. Epstein kishte dhënë edhe mbështetje financiare kur Brunel themeloi “MC2” në SHBA.
Nuk ka pasur asnjë pretendim se agjenci të tjera, përveç atyre që menaxhoheshin nga Brunel në SHBA, kanë qenë të përfshira në ndonjë shkelje.
Para se të vdiste, Brunel i mohoi të gjitha akuzat. Avokatët e tij thanë se ai ishte “shkatërruar” nga akuzat dhe fajësuan një sistem që e quajtën “mediatik-gjyqësor”.
Ana thotë se gjatë rreth katër muajve ajo udhëtoi me Epstein në SHBA dhe Francë dhe se ai ishte “i përzemërt” me të. Ajo tregon se gjatë asaj kohe ai i pagoi edhe disa kurse të gjuhës angleze.
Viza e saj u anulua në Miami pasi autoritetet amerikane e pyetën se kush po paguante për punën e saj dhe nëse po merrte para në Shtetet e Bashkuara.
Ajo thotë se kishte udhëtuar në SHBA të paktën gjashtë herë për të kaluar kohë me Epstein para se viza t’i anulohej.
Ana tregon se kishte shkuar edhe në ishullin privat të Epstein në Virgin Islands dhe mendonte se ai e konsideronte të dashurën e tij - derisa një ditë e gjeti në shtrat me një tjetër person.
“Deri atëherë nuk e kisha kuptuar plotësisht se ai bënte të njëjtën gjë me shumë vajza”, thotë ajo.
“Në disa raste më thoshte të dilja nga shtëpia për të bërë diçka - të shkoja në muze ose në kurse. Nuk e di nëse ndodhte diçka që ai nuk donte ta shihja… Atij i pëlqenin vajzat e reja dhe të ishte i rrethuar prej tyre”.
Ajo shton se kanë kryer marrëdhënie seksuale vetëm një herë dhe se Epstein “pëlqente të flinte, të përqafohej dhe t’i bënin masazh në këmbë”.
Ana thotë se një herë Epstein i kishte treguar se Brunel kishte kërkuar të flinte me të, por ai kishte refuzuar duke thënë: “Nuk e lashë sepse ti je e imja”.
Ajo thotë se nuk e dinte nëse duhej të ndihej “mirënjohëse apo edhe më e frikësuar”. Pas asaj, sipas saj, Brunel dukej “si një ujk që shikon një qengj - gjithmonë me sy grabitqarë, si ndaj vajzave të tjera ashtu edhe ndaj meje”.
Ana thotë se për takimin e parë në hotel dhe për udhëtimin në Paris kishte një marrëveshje që Epstein t’i paguante gruas braziliane që e kishte rekrutuar 10.000 dollarë në para të gatshme.
Sipas saj, Epstein pagoi vetëm një pjesë të kësaj shume dhe ajo dëgjoi disa telefonata ku gruaja e shtynte atë të paguante pjesën e mbetur.
Ky rrëfim përputhet me një dëshmi të dhënë në vitin 2010 në një gjykatë në Florida nga një ish-kontabilist i “MC2” në SHBA, i cituar në dosjet e Epsteinit. Ai tha se ekzistonte një grua braziliane që siguronte vajza për Epstein dhe Brunel në Brazil dhe që ishte zemëruar për një borxh të papaguar.
Sipas Anës, kontaktet me gruan që e kishte rekrutuar u ndërprenë pasi ajo mori përsëri dokumentet e saj, por ajo vazhdoi ta takonte Epstein.
Ajo shton se pasi viza iu anulua, Epstein i kishte ofruar t’i siguronte një “green card” për të jetuar në SHBA, por ajo refuzoi pasi donte të qëndronte pranë familjes së saj në Brazil.
Hetimi për rrjetin e rekrutimit
Zyra Federale e Prokurorit Publik në Brazil, hapi një hetim në shkurt për të përcaktuar nëse në Brazil ka ekzistuar një rrjet rekrutimi i lidhur me Jeffrey Epstein.
Prokurorja federale Cinthia Gabriela Borges, nga njësia kombëtare kundër trafikimit të qenieve njerëzore, i tha BBC-së se dëshiron të flasë me gratë që kanë pasur kontakt me Epstein për të kuptuar se si funksiononte ky rrjet. Ajo theksoi se vetë gratë nuk janë objekt i hetimit.
Sipas inspektorit të punës dhe studiuesit Mauricio Krepsky, ajo që i ndodhi Anës dhe grave të tjera mund të konsiderohet trafikim i qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual. Ai shpjegon se krime të tilla në disa raste nuk parashkruhen me kalimin e kohës, që do të thotë se personat brazilianë të përfshirë mund të mbahen ende përgjegjës para ligjit.
Glaucia thotë se është mirënjohëse që kishte një nënë që tha “jo”. Ndërsa Ana, pas shumë vitesh përpjekjeje për të kuptuar atë që i kishte ndodhur, ndihet me fat që arriti të largohej nga rrethi i Epsteinit dhe të rindërtonte jetën e saj.
“Mendoj se kam pasur fat”, thotë ajo. “Më dhimbsen gratë e tjera”.