Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjykata urdhëron Shtëpinë e Bardhë të rikthejë qasjen për tri mediat e ndaluara

Mediat

Foto: Associated Press

Një gjykatës federal ka urdhëruar administratën Trump që të rikthejë përkohësisht qasjen e CNN, MSNBC dhe Politico në Shtëpinë e Bardhë, pasi atyre u ishte ndaluar hyrja në mjediset e saj nga presidenti, Donald Trump.

Në vendimin e dhënë herët të enjten, gjyqtari Timothy Kelly, ka konstatuar se anulimi i kredencialeve të gazetarëve ishte bërë pa respektuar "procedurën e rregullt ligjore të kërkuar nga Kushtetuta".

Ai gjithashtu ka deklaruar se argumentet e qeverisë "ofrojnë pak prova për të mbështetur pretendimin e tyre lidhur me interesin e sigurisë kombëtare". 

Pasi ndalimi ka hyrë në fuqi, Trumpi dhe avokatët e tij kanë thënë se këtyre mediave u ishte hequr qasja sepse raportimet e tyre të mëparshme kishin ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare.

"Së pari, asgjë në dokumentacionin e periudhës para kësaj padie nuk sugjeron se anulimi i lejeve të përhershme të hyrjes së paditësve ishte i motivuar nga shqetësime për sigurinë kombëtare”, ka shkruar Kelly. 

"Sigurisht, kjo nuk është ajo që ka thënë presidenti Trump kur njoftoi se po 'u ndalonte' hyrjen paditësve në Shtëpinë e Bardhë, përkundrazi, ai u përqendrua te mungesa e pretenduar e vërtetësisë dhe te natyra negative e raportimeve të paditësve”, ka shtuar ai. 

Trumpi ka njoftuar ndalimin për këto tri media në një postim në rrjetet sociale të premten, duke shkruar se po i përjashtonte ato "si pasojë e 'raportimit' të tyre të vazhdueshëm të lajmeve të rreme" dhe duke shtuar se "do të pasojnë edhe media të tjera të lajmeve të rreme".

Tri mediat kanë ngritur padi, duke kërkuar pezullimin ose bllokimin e plotë të ndalimit. Në dokumentet gjyqësore dhe gjatë një seance dëgjimore të mërkurën, avokati i mediave ka argumentuar se ndalimi binte ndesh me vendimet e mëparshme të gjykatës, shkelte procedurën e rregullt ligjore dhe ishte marrë thjesht për shkak të përbuzjes së Trumpit ndaj gazetarëve.