Qeveria gjermane ka njoftuar një paketë masash ligjore që synojnë të luftojnë ekstremizmin e krahut të djathtë, raportoi të martën BBC-ja.
Kjo pako masash u përgatit pas disa javësh demonstrata masive kundër të djathtës ekstreme nëpër qytetet gjermane.
Gjatë gjithë janarit, qindra mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër ekstremizmit të krahut të djathtë. Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser ka thënë se protestat kanë qenë inkurajim të vepruar politikisht.
Muajin e kaluar, gjermanët u tronditën nga zbulimet se anëtarë të lartë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) morën pjesë në një takim "të fshehtë" ku dyshohet se është diskutuar për dëbimet masive.
"Duam të përdorim të gjitha instrumentet e sundimit të ligjit për të mbrojtur demokracinë," ka thënë Faeseri teksa prezantoi planin para gazetarëve të martën. "Duam të shkatërrojmë rrjetet ekstremiste të krahut të djathtë, të shkurtojmë fondet e tyre dhe t'u heqim armët”, ka shtuar ajo.
Ajo ka njoftuar se plani 13-pikësh do ta luftojë ekstremizmin e krahut të djathtë, të cilin ajo e përshkroi si kërcënimin më të madh me të cilin përballet shoqëria gjermane. Propozimet përfshijnë ligje të reja që e bëjnë më të lehtë ngrirjen e llogarive bankare dhe reduktimin e modeleve të financimit për ekstremistët, duke shtuar se edhe donatorët do të jenë në shënjestër.
Ligjet për armët do të forcohen dhe do të jetë më e lehtë të shkarkohen punonjësit e shtetit të shpallur fajtorë për ekstremizëm.
Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 20,000 krime dhe sulme të ekstremit të djathtë regjistrohen në vit dhe numri i incidenteve të tilla është në rritje.
Shërbimet e inteligjencës thonë se më shumë se 38,000 njerëz në Gjermani dihet se janë ekstremistë të krahut të djathtë dhe se rreth 14,000 përkufizohen si potencialisht të dhunshëm.