Plani i partisë së djathtë ekstreme AfD-së për të dëbuar miliona refugjatë nga Gjermania, ka nxitur reagimin e mijëra gjermanëve që me protesta kanë kundërshtuar këtë parti. Kritika pati edhe kancelari Olaf Scholz.
Mijëra persona kanë dalë në rrugët e Hamburgut për të protestuar kundër së djathtës ekstreme.
Sipas organizatorëve, 130 mijë persona kanë marrë pjesë në këtë protestë. Ndërkaq, policia gjermane, ka deklaruar se 50 mijë persona morën pjesë në këtë protestë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProtestuesit kanë bërë thirrje kundër partisë së krahut të djathtë “Alternativës për Gjermaninë”.
Partitë qeveritare të Gjermanisë kanë kritikuar AfD-në në lidhje me raportimin se anëtarët e partisë ekstreme janë takuar për të diskutuar rreth dëbimit të miliona refugjatëve, përfshirë disa me shtetësi gjermane.
Shkaku i këtij takimi, mijëra njerëz kanë protestuar në ditët e fundit.
“Qëllimi im është që të tregoj se demokracia është diçka e vlefshme për ne dhe se jemi kundër të djathtës. Duhet të ngrihemi dhe të bëjmë diçka. Prandaj jam këtu”, ka thënë Juergen Schindler, një nga protestuesit.
Edhe kancelari Olaf Scholz ka reaguar ndaj këtij takimi të partisë së djathtë ekstreme.
“E them qartë dhe ashpër se ekstremistët e djathtë po sulmojnë demokracinë tonë. Ata duan ta shkatërrojnë kohezionin tonë. Në konferencën sekrete, këta ekstremistë diskutuan se si mund të largojnë miliona njerëz nga shteti ynë. Familjet që kanë jetuar këtu për vite e dekada. Fqinjët, kolegët dhe miqtë tanë, burra e gra që punojnë në spitalet tona. Ky mendim shkakton të dridhura”, ka thënë Scholz.
Mediumi gjerman “Correctiv”, gjatë javës së kaluar ka raportuar për takimin e së djathtës ekstreme në muajin nëntor. Në këtë takim morën pjesë figura nga Lëvizja Identitare dhe AfD-ja.
Anëtari i kësaj lëvizjeje, austriaku Martin Sellner, kishte prezantuar vizionin për deportimin nga Gjermania.
Sondazhet në Gjermani e kanë vendosur AfD-në si të dytën me përkrahje deri në 20 për qind. Kjo parti është prapa bllokut opozitar të qendrës së djathtë, por para partive të koalicionit që i prin kancelari Scholz.
AfD-ja është shumë e fuqishme në tre rajonet e ish-lindjes komuniste që do të mbajë zgjedhjet shtetërore në muajin shtator.
Më shumë protesta kundër AfD-së janë paralajmëruar edhe për ditët e ardhshme.
Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në protestat që do të mbahen të dielën në Koln dhe Munich.