Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Protesta masive në Berlin

Më shumë se 150 mijë njerëz u mblodhën të shtunën në Berlin për të protestuar kundër ekstremizmit të djathtë dhe urrejtjes. Organizatorët e protestës thonë se ka pasur numër edhe më të madh të pjesëmarrësve, rreth 300 mijë.

“Qoftë në Eisenach, Homburg apo Berlin: Në qytetet e mëdha dhe të vogla në të gjithë vendin, shumë qytetarë u mblodhën këtë fundjavë për të protestuar kundër urrejtjes dhe shpifjeve. Është një sinjal i fortë për demokracinë dhe kushtetutën tonë”, ka shkruar kancelari Olaf Scholz në rrjetin social “X”.

Në Berlin, tubimi u organizua nga një shoqatë prej më shumë se 1300 organizatash.

“Ne duam të tregojmë se ne kujdesemi për solidaritetin dhe se jemi kundër diskriminimit”, ka thënë mësuesi i shkollës së mesme Serkan Bingöl, i cili shkoi në protestë me një grup refugjatësh. Ai shtoi se do të dëshironin që shoqëria gjermane të ishte e larmishme dhe jo monotone.

Prej tre javësh në Gjermani po zhvillohen protesta kundër mbështetësve të partisë së ekstremit të djathtë dhe anti-emigrantëve Alternativa për Gjermaninë (AfD). Protestat mbledhin mijëra njerëz, të cilët janë indinjuar nga informacioni i dhënë nga agjencia kërkimore “Correctiv” për AfD-në.

Sipas agjencisë, në nëntor të vitit të kaluar, përfaqësuesit e ekstremit të djathtë janë takuar në Potsdam dhe aty kanë diskutuar për faktin që një numër i madh i njerëzve me rrënjë emigrante duhet të largohen nga Gjermania. Mes pjesëmarrësve në takim ishin edhe politikanë të AfD-së.

Edhe Kaos në Gjermani, protestuesit anti-AfD përplasen me policinë Botë 2 j. më parë Kaos në Gjermani, protestuesit anti-AfD përplasen me policinë

Seksione të publikut gjerman dhe politikanë nga partitë kryesore politike janë të shqetësuar për forcimin e AfD-së, e cila mund të fitojë zgjedhjet e asamblesë shtetërore këtë shtator në tre shtete federale në Gjermaninë lindore që dikur ishin pjesë e Republikës Demokratike Gjermane komuniste.

AfD mban vendin e dytë në sondazhe në të gjithë Gjermaninë, përpara CDU-së konservatore, ndërsa socialdemokratët e Scholzit janë në vendin e tretë.