Gjermania u zotua se do t’i lejojë Polonisë t’ia dërgojë Ukrainës tanket e shumëpërfolura gjermane “Leopard”, që konsiderohen vendimtare në luftën e forcave ukrainase kundër Rusisë pushtuese. Moska ndërkohë ka dëbuar ambasadorin e Estonisë, duke përshkallëzuar përplasjen diplomatike me Bashkimin Evropian
Polonia do t’i kërkojë Gjermanisë leje për dërgimin e tankeve “Leopard” Ukrainës, ka deklaruar të hënën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki. Varshava po ndërton një koalicion shtetesh të gatshme për të dërguar tanket e prodhimit gjerman në frontin e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
"Edhe nëse nuk do ta merrnim këtë miratim... ne përsëri do t'i transferonim tanket tona së bashku me të tjerët në Ukrainë. Kushti për ne për momentin është të ndërtojmë të paktën një koalicion të vogël vendesh”, tha Morawiecki.
Polonia ka thënë se do të sigurojë një kompani “Leopardësh” - rreth 14 - por Morawiecki tha se një transferim kishte kuptim vetëm si pjesë e një brigade - një numër i ndryshueshëm, por shumë më i madh. Rreth 20 vende operojnë tankun gjerman, duke përfshirë Kanadanë, Danimarkën, Finlandën, Holandën, Norvegjinë, Austrinë, Spanjën, Suedinë dhe Turqinë.
Thirrja për unitet
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se Qeveria e saj do të aprovonte kërkesën eventuale polake për “Leopardët” e famshëm. Ajo ka thënë se Rusia nuk duhet assesi ta fitojë luftën.
“Kjo nënkupton se i gjithë vendi është nën sulm nga regjimi rus dhe kjo tregon se edhe 11 muaj pas fillimit të luftës brutale të agresionit, Putini nuk ka devijuar nga plani i tij vrastar për ta shkatërruar Ukrainën. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që ne si bashkësi ndërkombëtare të bëjmë çmos të zotohemi për mbrojtjen e Ukrainës me qëllim që Ukraina të fitojë”, ka deklaruar Baerbock.

Forcat e armatosura gjermane kanë nisur lëvizjen e dy prej tri skuadroneve të para të sistemeve antiraketore, “Patriot”, premtuar Polonisë. Tri konvoje me 40 makina dhe 150 ushtarë janë nisur të hënën nga Gnoien. Sistemet e mbrojtjes ajrore do të pozicionohen në rrethinën e qytetit juglindor të Polonisë, Zamosc, ku konvojet pritet të arrijnë të mërkurën në mbrëmje. Nga atje, kufiri me Ukrainën ndodhet vetëm 60 kilometra, derisa qyteti më i afërt ukrainas, Lviv, shtrihet vetëm 110 kilometra larg.
Ndërkohë gjatë ditës Rusia ka dëbuar ambasadorin e Estonisë, dhe misionin diplomatik të këtij vendi do ta udhëheqë një i ngarkuar me punë. Ambasadori estonez, Margus Laidre, është urdhëruar që të largohet nga vendi deri më 7 shkurt.
Ministria e Jashtme ruse e ka marrë këtë vendim në shenjë të hakmarrjes për atë që Moska e ka quajtur “hap i ri jomiqësor i Estonisë për të reduktuar në mënyrë drastike përmasat e Ambasadës ruse në Talin”.
Skandali i korrupsionit godet Qeverinë ukrainase
Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë mbajtur bisedimet me homologun ukrainas nëpërmjet videolidhjes. Shefat e diplomacisë janë zotuar për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën.
Por si në bisedimet në Bruksel, ashtu edhe në takimin e javës së kaluar të ministrave perëndimorë të mbrojtjes në Gjermani, çështja e tankeve të betejës dominoi diskutimet.
"Në këtë pikë nuk ka argumente të mira pse tanket e betejës nuk mund të sigurohen", tha ministri i Jashtëm letonas, Edgars Rinkevics. “Argumenti i përshkallëzimit nuk funksionon, sepse Rusia vazhdon të përshkallëzohet”.
Ukraina dhe Rusia besohet se të dyja po planifikojnë ofensiva pranverore për të thyer ngërçin në atë që është shndërruar në një luftë shkatërrimi në Ukrainën lindore dhe jugore me afrimin e përvjetorit të parë të pushtimit rus.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë, po përballej me një skandal korrupsioni që mund të zbehte entuziazmin perëndimor për qeverinë e tij.
Një gazetë raportoi se ushtria ukrainase dyshohet se kishte siguruar ushqime me çmime shumë të fryra dhe një zëvendësministër dha dorëheqjen pas një hetimi mbi akuzat se kishte pranuar ryshfet.
Në terren në Ukrainë, forcat e armatosura ruse kanë marrë kontrollin e fshatit Krasnopillia në rajonin e Donjeckut, ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes. Pretendimet e zëdhënësit të kësaj ministrie nuk ka qenë e mundur që të vërtetoheshin nga mediat ndërkombëtare për shkak të qasjes së kufizuar në terren. Deri tani Ukraina nuk ka konfirmuar humbjen e kontrollit të këtij fshati.
Përgatiti: Rexhep Maloku