Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania, Çekia, Polonia dhe Hungaria thyejnë rekordet historike të temperaturave

nxehti

Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën ka shënuar temperatura rekord në disa shtete.
Gjermania, Çekia, Polonia dhe Hungaria regjistruan të dielën temperaturat më të larta në historinë e matjeve për këtë periudhë, raportoi “The Guardian”.

Sipas të dhënave paraprake të shërbimeve meteorologjike, në Gjermani u shënuan 41.7 gradë celsius në Coschen, pranë kufirit me Poloninë, duke thyer rekordin prej 41.5 gradësh të vendosur vetëm një ditë më parë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Temperatura rekord u regjistruan edhe në Çeki, ku në Doksany termometri arriti në 41.9 gradë celsius, ndërsa në Poloni u matën 40.5 gradë në Slubice, duke thyer një rekord 105-vjeçar. Hungaria regjistroi 40.7 gradë celsius në Budakalasz, ndërsa në Sllovaki temperaturat arritën në 39.3 gradë.

Sipas raportimeve, mbi 191 milionë njerëz në Evropë u përballën me temperatura prej të paktën 35 gradë celsius, ndërsa në shumë vende u lëshuan paralajmërime për vapë ekstreme.

Në Berlin, policia përdori topa uji për të freskuar banorët dhe turistët, ndërsa kompania hekurudhore Deutsche Bahn këshilloi qytetarët të shmangnin udhëtimet që nuk ishin të domosdoshme.

Edhe Polonia ndërmori masa emergjente. Agjencia shtetërore e sigurisë u dërgoi qytetarëve mesazhe telefonike duke u bërë thirrje të shmangnin ekspozimin në diell, aktivitetin fizik dhe të konsumonin sa më shumë ujë.

Ndërkohë, Franca ka nisur të numërojë viktimat e valës së të nxehtit. Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik bëri të ditur se nga 24 deri më 27 qershor janë regjistruar rreth 1 mijë vdekje më shumë krahasuar me periudhat e zakonshme, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet ndjeshëm.

Në Spanjë, të dhënat paraprake tregojnë se të paktën 327 vdekje mund të lidhen me temperaturat ekstreme gjatë javës së kaluar.

Ndërkohë, pjesë të Francës veriore dhe Belgjikës u goditën nga stuhi të fuqishme me erëra të forta dhe rrufe. 

Në Belgjikë, një person humbi jetën pasi një pemë ra mbi automjetin e tij pranë Brukselit, ndërsa në Francë dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike si pasojë e motit të rënduar.