Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjendet e gjallë 12 vjeçarja e bllokuar për 18 orë nën borë pas ortekut në Pakistan

Samina Bibi, e mbijetuara pas ortekut në Pakistan, merr kujdesin mjekësor. Foto: Reuters

Një vajzë 12 vjeçare u gjet e gjallë të martën pasi kishte mbetur e ngujuar për 18 orë kur një ortek në Kashmirin e kontorlluar nga Pakistani goditi një shtëpi familjare, ka thënë nëna e saj të mërkurën.

Samina Bibi kujton britmat dhe thirrjet për ndihmë teksa ajo qëndronte e ngujuar në një dhomë nën borë, raporton Reuters.

Numri total i të vdekurve nga ortekët e së hënës në Luginën Neelum të Pakistanit, në rajonin e Himalajeve që është i diskutueshëm mes Pakistanit dhe Indisë, ka shkuar në 74, sipas zyrtarëve pakistanezë, transmeton Koha.net.

Samina ishte një prej fatlumëve. “Mendova se do të vdisja aty”, ka thënë ajo për Reutersin nga një shtrat spitali në Muzaffarabad, ku ajo dhe dhjetëra tjerë të lënduar po pranonin trajtim pasi u dërguan me aeroplanë jashtë zonës së ortekëve.

Për nënën e Saminas, Shahnaz Bibi, e cila humbi një djalë dhe një vajzë tjetër, shpëtimi ishte një mrekulli në vete. Pasi u nxor nga bora, Shahnaz tha se ajo dhe vëllai i saj, Irshad Ahmad, kishin humbur shpresat se do ta gjenin Saminan të gjallë.

Samina tha se nuk ka mundur të fle përderisa po priste që të shpëtohej. Këmbën e kishte thyer dhe gjaku po i dilte edhe nga goja.