Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

G7 refuzon kërkesën e Rusisë për ta paguar gazin me rubla

Grupi i Shtatë ekonomive kryesore janë marrë vesh ta refuzojnë kërkesën e Rusisë për t’i paguar eksportet e gazit natyror rus me rubla, ka thënë të hënën ministri gjerman i Energjisë, Robert Habeck, raporton agjencia Reuters.

Habeck ka thënë para gazetarëve se të gjithë ministrat e G7-ës janë pajtuar se pranimi i kësaj kërkese do të ishte shkelje e kontratave ekzistuese.

Ai ka njoftuar se ministrat e energjisë nga Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë mbajtur një takim online të premten, bashkë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ku edhe u morën vesh.

“Pagesa në rubla nuk është e pranueshme dhe ne do t'u bëjmë thirrje të gjitha kompanive të prekura të mos ndjekin kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë ai.

Më 23 mars, Putini ka njoftuar se Rusia do t'u kërkojë shteteve evropiane që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë që tani e tutje të paguajnë për gazin natyror vetëm në monedhën ruse.