Ishte Bagrami, baza e dikurshme ajrore e shkërmoqur nga breshëria e plumbave dhe e braktisur nga sovjetikët përballë maleve Hindu Kush, vendi ku zjarrfikësit dhe policia e New Yorkut ishin dërguar për ta “varrosur” një pjesë të Qendrës Tregtare Botërore në dhjetorin e 2001-s, pak ditë pasi që talebanët ishin rrëzuar nga pushteti për strehimin e Osama bin Ladenit. Ishte njashtu kjo bazë, sipas Reutersit, ajo ku CIA kishte drejtuar qendrën e “zezë” të burgimit për të dyshuarit për terrorizëm dhe që ishte bërë subjekt i abuzimeve që ish-presidenti, Barack Obama, më vonë do t’i njihte si tortura
Trupat amerikane të premten u tërhoqën nga baza kryesore në Afganistan, duke lënë prapa supeve një pjesë të Kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë që i kishin varrosur 20 vjet më parë në shtetin, për të cilin njëri prej komandantëve kryesorë kishte paralajmëruar se mund të rrëshqiste në luftën civile pa praninë e Amerikës.
“Të gjithë ushtarët amerikanë dhe anëtarët e forcave të NATO-s kanë braktisur bazën ajrore të Bagramit”, ka thënë një zyrtar i lartë i sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ai ka folur në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ani pse disa trupa ende nuk janë tërhequr nga baza tjetër në Kabul, zbrazja e Bragramit shënon fundin e luftës më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Baza, një orë larg Kabulit, ishte vendi nga i cili ushtria amerikane koordinoi luftën ajrore dhe përkrahjen logjistike për krejt misionin në Afganistan. Por Reuters shkruan se talebanët i falënderuan amerikanët për largimin e tyre.
“Këtë tërheqje e konsiderojmë si hap pozitiv. Afganët mund t’i afrohen stabilitetit dhe paqes pas tërheqjes së plotë të trupave të huaj”, ka thënë zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahib.
Edhe
Ikje nën petkun e errësirës: Afganët të zemëruar me SHBA-në
Porse afganët e tjerë ishin më të kujdesshëm.
“Amerikanët duhet të ikin nga Afganistani dhe duhet të ketë paqe në këtë vend. Jemi në një situatë të vështirë. Shumë njerëz po ikin dhe shumë lagje janë shuar. Shumë prej këtyre lagjeve kanë rënë në kontroll të talebanëve”, ka thënë banori i Kabulit, Javed Arman, duke folur për agjencinë.
Për forcat ndërkombëtare, më shumë se 3.500 prej të cilëve kanë vdekur në Afganistan, tërheqja është realizuar pa ndonjë madhështi. Një diplomat perëndimor në Kabul ka thënë për Reutersin se SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO “kanë fituar shumë beteja, por e kanë humbur luftën afgane”.
Baza e torturave
Ishte Bagrami, baza e dikurshme ajrore e shkërmoqur nga breshëria e plumbave dhe e braktisur nga sovjetikët përball maleve Hindu Kush, vendi ku zjarrfikësit dhe policia e New Yorkut ishin dërguar për ta “varrosur” një pjesë të Qendrës Tregtare Botërore në dhjetorin e 2001-s, pak ditë pasi që talebanët ishin rrëzuar nga pushteti për strehimin e Osama bin Ladenit.
Ishte njashtu kjo bazë, sipas Reutersit, ajo ku CIA kishte drejtuar qendrën e “zezë” të burgimit për të dyshuarit për terrorizëm dhe që ishte bërë subjekt i abuzimeve që ish-presidenti, Barack Obama, më vonë do t’i njihte si tortura.
Më vonë baza u shndërrua në një qytet të fortifikuar për forcën e madhe ndërkombëtare, me rrjetet të ushqimit, palestra dhe kafene që dikur do të shërbenin si diçka që u njoh si “nëna e krejt kafeve”. Dy pista përherë gjëmonin. Presidentët shkonin e vinin duke mbajtur fjalime dhe duke bërë shaka.
Një zyrtar afgan ka thënë se baza do t’i dorëzohet zyrtarisht Qeverisë me një ceremoni që do të mbahet këtë të shtunën.
Lufta civile
Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes ka thënë se gjenerali Austin Miller, kryekomandant i forcave amerikane në Afganistan, ende ka fuqinë dhe autoritetin për të mbrojtur forcat e pozicionuara në Kabul.
Në fillim të javës, Milleri kishte thënë para gazetarëve në Kabul se lufta civile për Afganistanin është diçka që mund të shihet, për shkak se militantët talebanë nisën që t’i merrnin nën kontroll lagjet përreth menjëherë pas largimit të trupave ndërkombëtare.
Edhe
Forcat e fundit të SHBA-së dhe NATO-s largohen nga Afganistani
Dy zyrtarë të tjerë të sigurisë kanë thënë për Reutersin se shumica e personelit ushtarak të SHBA-së, me gjasë do të largohet deri më 4 korrik, por forcat rezidente do të mbesin për të mbrojtur ambasadën.
Kjo është dy muaj më herët sesa koha e caktuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili kishte premtuar se ushtria amerikane do të kthehej në shtëpi më 11 shtator, pikërisht në 20-vjetorin e sulmeve që i kishte shpjerë ata drejt Afganistanit.
Washingtoni arriti marrëveshje e tërheqjes së ushtrisë me talebanët nën administratën e Donald Trumpit, ndërkaq pasardhësi i tij Biden i refuzoi këshillat e gjeneralëve që të priste deri në marrëveshjen politike mes talebanëve dhe Qeverisë së presidentit Ashraf Ghani, që përkrahet nga amerikanët.
Gjatë javës që shkoi, Ghani vizitoi Washingtonin. Bideni e porositi se afganët do të vendosin vetë për fatin e tyre. Ghani ka thënë se misioni i tij është që të “menaxhojë pasojat” e tërheqjes së Amerikës.
Ngritja e talebanëve
Si shkëmbim për tërheqjen e ushtrisë amerikane, talebanët kanë premtuar se nuk do të lejojnë operimin e terroristëve ndërkombëtar në tokën afgane. Ata janë shprehur të gatshëm të bisedojnë me Qeverinë afgane, por negociuesit në Doha të Katarit kanë bërë pak përparime në këtë drejtim.
Nëpërmjet një deklarate, ambasada amerikane në Afganistan ka njoftuar se SHBA-ja është e angazhuar për të ndihmuar Afganistanin dhe do t’i ofrojë ndihmë për sigurinë në vlerë prej 3 miliardë dollarëve deri në vitin 2022.
“Bëjmë thirrje për ndalje të dhunës, respektim të së drejtave të afganëve dhe bisedime serioze në Doha, me qëllim që të arrihet paqja jetëgjate”, ka specifikuar ambasada, raporton Reuters.
Talebanët refuzojnë të deklarojnë armëpushimin. Ushtria afgane ka dorëzuar ose braktisur bazat e veta. Grupet militante që kanë luftuar kundër talebanëve para se të vinin amerikanët, kanë rrokur armët për të luftuar përsëri.
Një diplomat i lartë i Perëndimit ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar nga tri shtetet fqinje - Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani – që përkohësisht të strehojnë rreth 10 mijë afganë që kanë punuar me SHBA-në ose forcat aleate. Dhjetëra shtete evropiane kanë pranuar qindra punonjës afganë dhe familjet e tyre për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta që morën nga talebanët.
Që prej njoftimit të Bidenit për tërheqjen e trupave amerikane, talebanët kanë nisur të marrin kontrollin e Afganistanit, kryesisht në veri.
Edhe
Forcat e fundit të SHBA-së e NATO-s lëshojnë bazën kryesore në Afganistan
Luftimet mes forcave qeveritare dhe talebanëve janë ashpërsuar në muajt e fundit në Badakshan, provincën verilindore të Afganistanit.
Përgatiti: Gent Mehmeti