“Nuk kemi qenë në dijeni të afatit kohor të tërheqjes së tyre. Nuk na treguan kur u larguan”, ka thënë komandanti i ri bazës në Bagram, gjenerali Mir Asadullah Kohistani, gjatë një xhiroje përreth bazës së evakuuar dhe tani të plaçkitur. “Dëgjuam disa thashetheme se amerikanët kanë ikur nga Bagrami... dhe vetëm në orën 7 mësuam se kjo gjë ishte konfirmuar”, ka shtuar ai
Forcat amerikane kanë mbyllur bazën e tyre kryesore operacionale në Afganistan në errësire dhe ia kanë braktisur atë plaçkitësve kur janë tërhequr në mes të natës pas dy dekadash shërbim pa i njoftuar fare aleatët e tyre afganë.
Largimi tinëzar nga baza ajrore në Bagram, e cila ishte jetike për sigurinë e Kabulit dhe ku mbaheshin rreth 5.000 të burgosur kryesisht talebanë, ka nxitur zemërimin e afganëve. Shumica e kanë cilësuar veprimin si emblematikë të një tërheqjeje për të cilën thonë se është ndërmarrë kryekëput për t’iu përshtatur një afati politik amerikan, pa i kushtuar vëmendje gjendjes në kolaps të sigurisë në terren.
“Amerikanët nuk i pyetën afganët kur erdhën dhe nuk i kanë konsultuar afganët as kur u larguan”, ka thënë një zyrtar i lartë.
Pjesa më e madhe e Afganistanit verior, dikur vatër antitalebanë, ka rënë në duart e grupit gjatë dy javëve të fundit dhe militantët kanë shënuar avancime substanciale përgjatë gjithë pjesës së mbetur të vendit.
Afganistani ka rreth 400 qarqe dhe talebanët tani i kanë nën kontroll rreth gjysmën e tyre teksa po luftojnë edhe për të tjerat.
Komandanti i ri bazës në Bagram, gjenerali Mir Asadullah Kohistani, ka zbuluar se amerikanët janë larguar vetëm disa orë pas tërheqjes së tyre në orën 3 të mëngjesit.
“Nuk kemi qenë në dijeni të afatit kohor të tërheqjes së tyre. Nuk na treguan kur u larguan”, ka thënë komandanti gjatë një xhiroje përreth bazës së evakuuar dhe tani të plaçkitur. “Dëgjuam disa thashetheme se amerikanët kanë ikur nga Bagrami... dhe vetëm në orën 7 mësuam se kjo gjë ishte konfirmuar”, ka thënë Kohistani.
Ata kishin fikur rrymën me të dalë dhe errësira e plotë ka shërbyer si sinjal për plaçkitësit, ka thënë Abdul Raouf, një ushtar prej dhjetë vjetësh që ka shërbyer në Helmand dhe Kandahar.
Plaçkitësit kanë kapërcyer barrierat e para, kanë hequr thasët me rërë dhe kanë shkatërruar gjithçka tjetër përreth. Një tjetër ushtar ka thënë se largimi i përnjëhershëm i forcave amerikane ka hedhur në ujë gjithë angazhimin e tyre 20-vjeçar.
Afganët kanë shprehur zemërimin që nga deklarimi i fundjavës i presidentit Joe Biden, i cili kishte rrudhur supet kur ishte pyetur lidhur me përfundimin e pranisë amerikane në Afganistan, duke thënë se më përpara do të fliste për “gjëra të lumtura” rreth festës së Katër Korrikut.
Si trupat amerikane ashtu edhe ato britanike pritej që t’i përfundonin misionet në vend gjatë fundjavës, përjashtuar një grup të vogël të forcave amerikane që do të qëndronin për mbrojtjen e Ambasadës në Kabul. Por kur qark pas qarku vendi merrej nën kontroll të talebanëve, Washingtoni duket se ka ndryshuar përnjëherë qëndrim rreth finalizimit të tërheqjes.
Zëdhënësja e Bidenit, Jen Psaki, ka thënë më herët se tërheqja do të përmbyllet në gusht. Britania e Madhe ka pasuar shtegun e SHBA-së, duke i fajësuar “mesazhet e përziera” për informatat se edhe ajo do të përfundonte misionin më 4 korrik. Që të dyja vendet janë zotuar që të mbajnë disa forca përbrenda vendit. Por teksa as Bagrami dhe as dy bazat e tjera të rëndësishme më nuk janë në duart e amerikanëve, misioni kryesor i SHBA-së në Afganistan në fakt veçse ka përfunduar.
Hollësitë e reja rreth tërheqjes së fshehtë të javës së shkuar nën petkun e errësirës janë zbardhur kurse autoritetet afgane kanë angazhuar me qindra komando dhe grupe militante proqeveritare të martën për ta sfiduar ofensivën e ashpërsuar të talebanëve në veri, një ditë pasi që më shumë së 1.000 trupa qeveritare janë larguar në Taxhikistanin fqinj. Qeveria ka dërguar përforcime, porse shkalla e humbjeve ka nxitur shumëkënd që të vërë në pikëpyetje faktin se sa gjatë forcat vendore do të mund ta përballojnë situatën.