Shërbimi i Ndryshimit klimatik “Copernicus” ka thënë të mërkurën se pranvera e këtij viti ka qenë jashtëzakonisht e thatë në Evropën veriperëndimore, teksa muaji maj, është i dyti më i ngrohti ndonjëherë në nivel global.
Vendet në të gjithë Evropën, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë goditur nga kushtet e thatësirës në muajt e fundit, duke shtuar frikën për mungesë uji nëse nuk ka shira të konsiderueshëm këtë verë.
Dështimet e të korrave kanë filluar të raportohen nga fermerët, raporton The Guardian.
Të dhënat e reja të Copernicus tregojnë se maji 2025 ishte maji i dytë më i ngrohtë në nivel global, me një temperaturë mesatare të ajrit sipërfaqësor prej 15.79C, 0.53C mbi mesataren e viteve 1991-2020 për majin.
Muaji ishte 1.4C mbi mesataren e vlerësuar të viteve 1850-1900 të përdorur për të përcaktuar nivelin para-industrial.
“Maji 2025 shënon ndërprerjen e një serie muajsh me temperatura mbi 1.5 gradë celsius mbi periudhën para-industriale. Ndërsa kjo mund të ofrojë një pushim të shkurtër për planetin, ne presim që pragu prej 1.5 gradë celsius të tejkalohet përsëri në të ardhmen e afërt për shkak të ngrohjes së vazhdueshme të sistemit klimatik”, thuhet në raport.
1.5 gradë është objektivi klimatik i rënë dakord nga marrëveshja e Parisit e vitit 2015. Objektivi prej 1.5 gradësh matet gjatë një ose dy dekadave, kështu që një vit i vetëm mbi atë nivel nuk do të thotë se objektivi është anashkaluar, por tregon se emergjenca klimatike vazhdon të intensifikohet.
Çdo vit në dekadën e kaluar ka qenë një nga 10 më të nxehtit, në të dhëna që datojnë që nga viti 1850.
Moti i thatë ka vazhduar në shumë pjesë të botës.
Në maj 2025, pjesa më e madhe e Evropës veriore dhe qendrore, si dhe rajonet jugore të Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë, ishin më të thata se mesatarja. Pjesë të Evropës veriperëndimore përjetuan nivelet më të ulëta të reshjeve dhe lagështisë së tokës që nga të paktën viti 1979.