Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Franca merr presidencën e BE-së

franca

Franca merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, duke i dhënë presidentit Emmanuel Macron mundësinë për t’u paraqitur si udhëheqësi de fakto i BE-së në prag të zgjedhjeve nacionale në prill.

Ky vend ka marrë përfaqësinë e BE-së në një kohë kur Evropa ndodhet në një pështjellim të plotë sikurse me rritjen e rasteve pozitive me variantin e ri të COVID-19, Omicron, ashtu edhe me zhvillimet në kufi të Ukrainës.

Macron nuk i ka fshehur asnjëherë ambiciet e tij për të qenë motori për integrimin e mëtejshëm evropian, duke shërbyer gjatë katër viteve të fundit si ndihmës dinamik i kancelares gjermane, Angela Merkel, raporton Euractiv.

Me Merkelin tani në pension dhe dhuratën në kohë të presidencës së radhës të Këshillit të BE-së nga 1 janari, Macron ka njoftuar një agjendë ambicioze për bllokun 27-anëtarësh që mund t'i shërbejë gjithashtu fushatës së tij të brendshme për rizgjedhje.

"Viti 2022 duhet të jetë një pikë kthese për Evropën", tha ai gjatë një fjalimi të mbajtur në natën e ndërrimit të motmoteve. Duke iu referuar presidencës franceze, ai u zotua se “mund të mbështeteni në angazhimin tim të plotë për të siguruar që kjo periudhë, e cila vjen çdo 13 vjet, të jetë një kohë progresi për ju”.

Për të shënuar fillimin e presidencës gjashtëmujore, Franca ndriçoi ndërtesat historike në të gjithë vendin, duke përfshirë Kullën Eifel, në ngjyrën blu të flamurit të BE-së në natën e Vitit të Ri.

Nga sot, Franca, pas Sllovenisë, do të kryesojë Këshillin e Bashkimit Evropian për gjashtë muaj, i cili përfaqëson interesat e 27 shteteve anëtare përpara Komisionit dhe Parlamentit Evropian.

Artikuj të ngjashëm