Largimi i Angela Merkelit pas 16 vjetëve si kancelare e Gjermanisë dhe dalja e Britanisë nga blloku më 2020 i dhanë Macronit rol dominues në Bashkimin Evropian, ku faktor kyç është partneriteti në mes të Francës dhe Gjermanisë
Menjëherë pas shpalljes së fitores, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, doli në skenë nën tingujt e himnit të Bashkimit Evropian, “Himni i Gëzimit”. Zgjedhja e 44-vjeçarit për mandat të dytë e bën figurë të fuqishme në Evropë.
Tani, Macroni pritet të nxisë fuqizimin e bllokut prej 27 vendesh dhe ta ndalojë me mish e shpirt luftën në Ukrainë.
Gjatë fjalimit të fitores të dielën, Macroni falënderoi votuesit që e votuan dhe që u betuan të punojnë drejt “një Evrope më të fortë”.
“Evropa është imazh i paqes dhe stabilitetit. Është pasuria jonë më e sigurt për sot e nesër”, tha ai gjatë kampanjës në Strasbourg, shtëpia e Parlamentit Evropian. “Është Evropa ajo që po na mbron nga lufta dhe krizat e ndryshme”.
Largimi i Angela Merkelit pas 16 vjetëve si kancelare e Gjermanisë dhe dalja e Britanisë nga blloku më 2020 i dhanë Macronit rol dominues në Bashkimin Evropian, ku faktor kyç është partneriteti në mes të Francës dhe Gjermanisë.
I nxitur nga fitorja, Macroni pret të jetë në qendër të vëmendjes gjatë vizitës në Berlin për t’u takuar me kancelarin e ri të Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili ka pasur debutim të ulët në skenën ndërkombëtare. Është traditë e presidentëve të Francës që udhëtimin e tyre të parë ta bëjnë për në Gjermani si shenjë feste e miqësisë pas luftërave të shumta.
Çështja primare e takimit në mes të Macronit dhe Scholzit do të jetë Ukraina. Zëdhënësi i Scholzit, Steffern Hebestreit, e quajti ‘ditë me fat për Evropën’ fitoren e Macronit ndaj rivales së ekstremit të djathtë, nacionalistes Marine Le Pen. Hebestreit shtoi tutje: “Francezët e bënë zgjedhjen e duhur”.
Franca do ta mbajë presidencën e radhës së Këshillit Evropian deri më 30 qershor. Është planifikuar që Macroni të mbajë fjalim për Evropën më 9 maj në Strasbourg.
Ka mundësi që Macroni gjithashtu të udhëtojë për në Kiev për ta takuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Kritikat e Macronit
Macroni prej kohësh i ka bërë thirrje BE-së që të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtje të vet, gjë që ai e sheh si ndihmesë për aleancën e NATO-s, ku pushtimi rus në Ukrainë vetëm sa e ka forcuar më shumë këtë argument të Macronit.
Fitorja e tij do të thotë “synim për një projekt ambicioz për Evropën”, tha Tara Varma, drejtuese e zyrës së Parisit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Ai do të bëjë thirrje për dyfishim të agjendës së sovranitetit evropian: për teknologji, mbrojtje, luftën kundër detyrimeve ekonomike”, tha ajo.
Varma shtoi se konferenca e ardhshme për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në qershor do të jetë “mundësi për të menduar sërish për politikat e zgjerimit të BE-së”.
Georgina Wright, drejtoreshë e Programit Evropian në Institutin Montaigne me bazë në Paris, tha që “është e qartë që Evropa do të vazhdojë të jetë shtytës kyç dhe qendror i mandatit të Macronit. Mendoj që ai synon të vazhdojë më shpejt e më larg, sesa pesë vjetëve të fundit”.
Megjithatë, ai mund të përballet me “diskutime të ndjeshme”, tha ajo.
Ndër politikat që Franca dëshiron të promovojë janë vendosja e një page minimale në të gjithë bllokun, taksa karboni për importe dhe reforma fiskale. Franca gjithashtu dëshiron t’i përshpejtojë bisedimet për rregullimin e sistemit të azilit të BE-së.
Për t’i arritur këto synime, Macroni do të duhet të kërkojë marrëveshje ndërkombëtare me homologët e tij.
“Sfida e tij do të jetë t’i bindë të tjerët ta ndjekin atë”, tha Wright. “Ai me të vërtetë duhet ta bëjë Gjermaninë për vete në këtë aspekt”.
Por sfidat vetëm shkojnë e shtohen. Udhëheqësit e Hungarisë dhe të Polonisë, në mosmarrëveshje me standardet e Brukselit për sundimin e tyre të ligjit, kanë shprehur mospajtim me Macronin në të kaluarën. Ndërkohë, nuk po qetësohen tensionet me Britaninë për marrëveshjen e pas Brexit-it dhe imigrantët që po e kalojnë Kanalin Anglez.
“Macronit nuk do t’i shkojnë gjërat ashtu siç ka planifikuar”, tha Charels Grant, drejtor i Qendrës për Reforma Evropiane. “Disa nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore do t’i kundërshtojnë politikat e Francës, Britania do të bëjë presion dhe Gjermania mund t’i kundërshtojë disa nga idetë e Francës”.
Ndasitë politike
Fushat e ndasisë franko-gjermane përfshijnë çështje kyç si strategjia e energjisë. Macroni po përpiqet ta promovojë energjinë bërthamore si mënyrë e t’u bërit më miqësor me natyrën dhe më të pavarur nga energjia, në anën tjetër Qeveria e Scholzit planifikon t’i mbyllë centralet e fundit bërthamore në Gjermani këtë vit.
Gjithashtu, pritet që Gjermania t’i kundërshtojë propozimet e Francës për përdorimin e përbashkët të borxhit të BE-së për një plan investimi për përballimin e ndikimit të luftës në Ukrainë. Propozimi është shkruar në bazë të planit për t’i bërë ballë pandemisë COVID-19.
Macroni mund ta bëjë aleat kyç kryeministrin e Italisë, Mario Draghi, i cili dëshiron t’i afrojë lidhjet me Parisin, duke përfshirë marrëveshjen e nënshkruar me Macronin në Romë vjeshtën e kaluar, që ka pasur për qëllim t’i bëjë Italinë dhe Francën ‘motorin’ e ri të bashkëpunimit me BE-në.
Gjatë fjalimit urues për fitoren e Macronit, Draghi theksoi rolin e të dyja shteteve, “të punojmë së bashku me të gjithë partnerët tanë” për ndërtimin e një Evrope më të fortë.
Përktheu: Shukrie Sadiku