Franca e ka quajtur marrëveshjen kornizë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian si “ditë e errët” për Evropën, duke shtuar se blloku i është nënshtruar presidentit amerikan Donald Trump me një marrëveshje të pabalancuar, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas marrëveshjes SHBA-ja do të vendosë tarifë prej 15 për qind mbi mallrat e BE-së, ndërsa BE-ja do t’i kursejë importet e SHBA-së nga çdo hakmarrje e menjëhershme.
Kryeministri francez Francois Bayrou ka shpërthyer me kritika.
“Është një ditë e errët kur një aleancë e popujve të lirë, të bashkuar për t’i afirmuar vlerat e tyre të përbashkëta dhe për t’i mbrojtur interesat e tyre të përbashkët, i dorëzohet nënshtrimit”, shkroi Bayrou në platformën “X”.
Marrëveshja mes SHBA-së dhe BE-së u arrit të hënën, ndërsa u njoftua për të nga Trumpi dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ministri i Tregtisë, Laurent Saint-Marin, kritikoi mënyrën se si BE-ja i trajtoi negociatat, duke thënë se blloku s’duhej të përmbahej nga kundërpërgjigja ndaj SHBA-së. Ai e përshkroi si luftë për pushtet të iniciuar nga Trumpi.
“Donald Trump e kupton vetëm forcën”, tha ai. “Do të kishte qenë më mirë të përgjigjeshim, duke treguar më herët aftësinë tonë për t’u hakmarrë. Dhe marrëveshja ndoshta mund të dukej ndryshe”, tha Saint-Martin.