Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Franca do t’i paguajë nga 150 euro në muaj familjet që i presin refugjatët ukrainas

Qeveria franceze ka njoftuar të mërkurën se do të sigurojë mbështetje financiare për familjet që pranojnë refugjatë ukrainas, njoftoi të mërkurën Anadolu Agency.

“Franca do të paguajë 150 euro në muaj për njerëzit që presin refugjatë ukrainas”, ka thënë në një deklaratë delegat-ministri i qyteteve dhe strehimit, Olivier Klein. “Me këtë mbështetje financiare, qeveria do të ndihmojë deri në 12.000 familje deri në fund të këtij viti”.

Pagesat do të ekzekutohen me kushtin që familjet të kenë pritur refugjatë ukrainas për të paktën 90 ditë.

"Kjo masë e jashtëzakonshme financiare bën të mundur mbështetjen dhe bujarinë që është parë në kohën e shpërthimit të luftës në Ukrainë, e cila është hallkë e rëndësishme në adresimin e krizës dhe pritjen e personave të zhvendosur nga Ukraina", ka thënë Klein.

Qeveria franceze kritikohet shpesh nga aktivistët e të drejtave të njeriut për diskriminimin e emigrantëve arabë dhe afrikanë. Tashmë po përballet me kritikat se po vendos standarde të dyfishta lidhur me refugjatët ukrainas.