Botë

Fondacioni i ndihmave i mbështetur nga SHBA-ja në Gazë vonohet të rihapet

Gaza

Foto: Associated Press

Kompania kontroverse private e shpërndarjes së ndihmave në Gazë, e mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, nuk e ka hapur ende vendin ku i mban ato, të paktën deri në mëngjesin e së enjtes.

Ushtria izraelite ka njoftuar të mërkurën se vendi do të mbahej i mbyllur për një ditë, me qëllim të një riorganizimi.

Vendimi ka ardhur pas tri ditësh me radhë të shtëna afër Fondacionit, duke lënë të vdekur dhjetëra palestinezë që niseshin drejt vendit para agimit, për të mbërritur të parët ndihmat, raporton Reuters.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF) kanë thënë se kanë gjuajtur të shtëna paralajmëruese, pasi kishin vërejtur lëvizje jashtë vijës së parashikuar për të arritur deri te ndihmat.

Mirëpo, dëshmitarë të shumtë kanë deklaruar se ka pasur të shtëna edhe nga tanket në drejtim të tyre.

Tani për tani nuk dihet se kur do të hapet sërish Fondacioni.