Botë

Fondacioni amerikan nis operimin me ndihma në Gaza, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare

Fondacioni amerikan nis operimin me ndihma në Gaza, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare

Një fondacion i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ngarkuar me ofrimin e ndihmës për Gazën, ka bërë të ditur se ka filluar operacionet të hënën, duke dërguar kamionë me ushqime në pika të caktuara të shpërndarjes, një ditë pasi drejtori ekzekutiv i tij dha dorëheqjen për shkak se operacioni nuk mund ta përmbushte misionin në përputhje me “parimet humanitare”, shkruan The Guardian.

Plani i ndihmës, i cili është miratuar nga Izraeli, por është refuzuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, u zhvillua mes pasigurisë nëse ndonjëra nga këto ndihma kishte mbërritur realisht te civilët.

Palestinezët raportuan se nuk kishte shenja të shpërndarjes së ndihmës të hënën, porse Fondacioni Humanitar për Gazën (FHG) ka deklaruar se kamionë me ushqime, pa përmendur numrin, ishin dorëzuar në qendrat e tij dhe se shpërndarja kishte filluar. Nuk ishte e qartë se ku ndodheshin këto qendra apo si ishin përzgjedhur përfituesit e ndihmës.

Sipas planit të FHG-së, palestinezët, shumë prej të cilëve janë të lënduar nga sulmet ajrore izraelite ose të rraskapitur nga zhvendosjet e vazhdueshme për shkak të paralajmërimeve për evakuim, do të duhet të marrin kuti ndihme që peshojnë deri në 20 kg nga katër pika të shpërndarjes në jug të Gazës.

Shefi i ndihmës humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, është shprehur se ky plan do të shkaktonte vetëm zhvendosje të mëtejshme të popullatës.

Izraeli vendosi bllokadë totale të ndihmave në fillim të marsit, duke ndërprerë të gjitha furnizimet, përfshirë ushqimin, ilaçet, strehimin dhe karburantin, veprim i cili është kualifikuar gjerësisht si ndëshkim kolektiv ndaj popullsisë civile në Gaza.

Autoritetet izraelite kanë pretenduar se bllokada synon të ushtrojë presion ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve, por në realitet, ajo e ka lënë pjesën më të madhe të 2.1 milionë palestinezëve të territorit në prag të krizës së urisë.