Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Finlandezët votojnë në balotazh për presidentin e ri

Votuesit në Finlandë të dielën do të zgjedhin mes dy politikanëve me përvojë për presidentin e tyre të ardhshëm. Detyra kryesore e presidentit të ardhshëm do të jetë që ta udhëheqë politikën e jashtme dhe të sigurisë së shtetit nordik, tash që është bërë anëtar i NATO-s, shkruan agjencia “AP”.

Ish-kryeministri Alexander Stubb (55), i qendrës së djathtë dhe ish-ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto (65) nga të majtët, kryesisht pajtohen në prioritetet e Finlandës për politikë të jashtme dhe për siguri.

Këtu përfshihet qasja më e ashpër karshi Moskës dhe lidershipit aktual të Rusisë, forcimi i lidhjeve të sigurisë me Washingtonin dhe nevojën për ta ndihmuar Ukrainën si në nivel ushtarak ashtu edhe civil.

Finlanda ndan 1340 kilometra kufi me Rusinë.

Ndryshe nga shumica e shteteve evropiane, presidenti në Finlandë ka fuqi ekzekutive për të hartuar politikat e jashtme dhe të sigurisë së bashku me qeverinë, veçanërisht sa i përket atyre me shtetet jashtë BE-së si për SHBA-ja, Rusia e Kina.

Edhe Ish-kryeministri Alexander Stubb zgjidhet president i Finlandës Botë Ish-kryeministri Alexander Stubb zgjidhet president i Finlandës

Kreu i shtetit po ashtu komandon ushtrinë – veçanërisht e rëndësishme në ambientin aktual të sigurisë në Evropë dhe me situatën e ndryshuar gjeopolitike të Finlandës, që iu bashkua NATO-s në prill të vitit 2023 14 muaj pas pushtimit rus të Ukrainës.

Politikan me Partinë e Koalicionit Nacional, Stubb, fitoi në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Finlandë më 28 janar, ku mori 27.2 për qind të votave.

Ai doli para tetë kandidatëve tjerë, dhe është favorit për të triumfuar në balotazhin e të dielës.

Stubb kishte udhëhequr qeverinë e Finlandës në vitet 2014-2015 dhe kishte mbajtur më herët disa pozita në kabinet.

Haavisto, që doli i dyti në rundin e parë, ishte kryediplomat i Finlandës nga viti 2019 deri më 2023 dhe ishte negociuesi kryesor për futjen e Finlandës në NATO.

Ish-ndërmjetësues i OKB-së për konflikte dhe një ambientalist i devotshëm, Haavisto mori 25.8 për qind të votave në rundin e parë.

Edhe Presidenti i Finlandës: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë gatishmëri për ta luftuar Rusinë Botë Presidenti i Finlandës: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë gatishmëri për ta luftuar Rusinë

Pasi asnjë nga kandidatët nuk mori mbi 50 për qind të votave në rundin e parë, është dashur të mbahet balotazh.

Mbi 4 milionë persona kanë të drejtë vote në Finlandë. Fituesi do ta pasojë në post të popullarizuarin Sauli Niinisto, mandati i dytë gjashtëvjeçar i të cilit skadon në mars. Niinisto nuk kishte të drejtë të rikandidonte.