Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Finlanda thjeshton procedurat për abort

Parlamenti finlandez ka miratuar reformat që do të thjeshtojnë procedurën e abortit në një vend që deri më tani e kishte rregulluar rreptësishtë këtë fushë, shkruan CNN.

Sipas ligjit të ndryshuar, gratë do të kenë nevojë vetëm për miratimin e një mjeku përpara se të ndërpresin shtatzëninë.

Sipas ligjit aktual finlandez, i cili daton që nga viti 1970, gratë kishin nevojë për miratimin e dy mjekëve përpara se të bënin një abort.

Qytetarët finlandezë tani mund të kërkojnë gjithashtu një abort mjekësor deri në javën e 12-të të shtatzënisë pa pasur nevojë të japin arsye shtesë.

Reformat e reja u miratuan të mërkurën nga 125 deputetë në Eduskunta (parlamentin) 200-vendesh të Finlandës, ndërsa 41 deputetë votuan kundër ligjit.

Ligji i ndryshuar ka të ngjarë të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Votimi në parlament erdhi pasi një nismë qytetare në vitin 2020 për këtë çështje mblodhi më shumë se 50 mijë nënshkrime.