Deputetët në Finlandë miratuan të mërkurën amendamentet që do ta bëjnë shumë më të lehtë për njerëzit të ndryshojnë gjininë e tyre ligjërisht në vendin nordik.
Ndryshimet, të cilat pritet të hyjnë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur, shfuqizojnë gjithashtu një dispozitë që kërkonte që personat transgjinorë të siguronin një certifikatë mjekësore që vërtetonte se ishin infertilë ose të sterilizuar përpara se qeveria të njihte identitetin e tyre gjinor. Ajo pjesë e ligjit ekzistues kishte për qëllim që të pengonte individët transgjinorë të kishin fëmijë.
Parlamenti me 200 ulëse i Finlandës votoi 113-69 në favor të ndryshimeve, pasi deputetët debatuan zëshëm për disa muaj, raportoi AP.
Ligji lejon transgjinorët që janë mbi 18 vjeç të ndërrojnë gjininë ligjërisht duke vetëdeklaruar, pa pasur nevojë për certifikatë mjekësore psikike dhe atë të aftësisë për të lindur.
Spanja e aprovoi ligjin që lejon ndryshimin e gjinisë përmes vetëdeklarimit, muajin e kaluar, ndërsa qeveria britanike i vuri veto një ligji të njëjtë të cilin deputetët në Skoci e kaluan në dhjetor.