Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Spanja miraton ligjet për pushimin menstrual, abortin nga adoleshentet dhe ndryshimin e gjinisë

Spanja ka miratuar legjislacionin që zgjeron abortin dhe të drejtat transgjinore për adoleshentët, duke u bërë vendi i parë në Evropë që do t’u japë punëtorëve të drejtën për pushim menstrual me pagesë, raportoi të enjten “Al Jazeera”.

Ndryshimet e bëra të enjten për të drejtat seksuale dhe riprodhuese nënkuptojnë se 16 dhe 17-vjeçarët në Spanjë tani mund t’i nënshtrohen abortit pa pëlqimin e prindërve.

Masa e pushimit menstrual u lejon punëtorëve që vuajnë nga dhimbjet e periudhës të marrin pushim me pagesë.

Përveç kësaj, ndryshimet parashikojnë në ligj të drejtën për të kryer abort në spitalet shtetërore.

Aktualisht, më shumë se 80 për qind e procedurave të aborteve në Spanjë kryhen në klinika private për shkak të një numri të madh mjekësh në sistemin publik që refuzojnë t'i kryejnë ato për arsye fetare.

Ligji për abortin bazohet në legjislacionin e miratuar në vitin 2010 që përfaqësonte një ndryshim të madh për një vend tradicionalisht katolik, duke e shndërruar Spanjën në një nga vendet më progresive në Evropë për të drejtat riprodhuese. Gjykata Kushtetuese e Spanjës javën e kaluar hodhi poshtë një sfidë të Partisë Popullore të krahut të djathtë kundër lejimit të abortit në 14 javët e para të shtatzënisë.

Edhe Spanja ua mundëson personave mbi 16 vjeç ta ndërrojnë gjininë Botë Spanja ua mundëson personave mbi 16 vjeç ta ndërrojnë gjininë

Një paketë e veçantë reformash e miratuar gjithashtu nga ligjvënësit të enjten forcoi të drejtat transgjinore, duke përfshirë lejimin e çdo qytetari mbi 16 vjeç të ndryshojë gjininë e tij të regjistruar ligjërisht pa mbikëqyrje mjekësore.

Fëmijët ndërmjet 12 dhe 13 vjeç do të kenë nevojë për autorizimin e gjyqtarit për të ndryshuar, ndërsa ata midis 14 dhe 16 duhet të shoqërohen nga prindërit ose kujdestarët ligjorë.