Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, ka akuzuar Rusinë se po ndihmon emigrantët të hyjnë në vend ilegalisht, duke thënë se disa prej tyre janë ndihmuar nga rojet kufitare ruse, shkruan BBC.
Zyrtarët finlandezë thonë se emigrantët arrijnë me veturë, ndërsa afër kufirit kalojnë me biçikletë në grupe të vogla përpara se të kërkojnë azil.
Finlanda ndan një kufi 1.340 km me Rusinë, më i gjati në Evropë.
Numri i kalimeve mbetet i vogël por ka ardhur në rritje këtë javë. Rojet kufitare thonë se kanë regjistruar rreth 60 kalime në 24 orë.
Ka pasur vetëm 91 kalime në katër muajt e fundit deri më 12 nëntor.
Edhe
Finlanda kërkon ndihmën e BE-së për ndaljen e fluksit të emigrantëve nga Rusia
Rojet kufitare finlandeze kanë thënë se emigrantët përfshinin shtetas të Irakut, Jemenit dhe Sirisë, të cilët kishin mbërritur legalisht në Rusi, por nuk ishin të autorizuar të hynin në Finlandë, e cila është anëtare e BE-së.
“Tradicionalisht, rojet ruse nuk i kanë lejuar njerëzit të mbërrijnë në kufirin finlandez pa dokumente të duhura. Por autoritetet ruse kanë ndryshuar padyshim politikën e tyre në muajt e fundit”, kanë thënë zyrtarët finlandezë.
Shumë nga emigrantët po kalojnë në Finlandë me biçikletë, duke shfrytëzuar një marrëveshje që lejon kalimin me biçikletë përtej kufirit. Javën e kaluar Finlanda ndaloi kalimet me biçikletë.
Pjesa më e madhe e aktivitetit është parë rreth pikave kufitare në Nuijamaa dhe Vaalimaa, në Finlandën juglindore.
Edhe
Finlanda do ta mbyllë tërësisht kufirin me Rusinë shkaku i migrantëve
Në vitin 2021, mijëra emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe afrikane kaluan në vendet anëtare të BE-së, Poloni dhe Lituani, pasi fluturuan për në Bjellorusi, aleati i ngushtë i Rusisë.
BE-ja në atë kohë akuzoi liderin bjellorus Alexander Lukashenko për përdorimin e emigracionit si armë të “luftës hibride” për ta destabilizuar bllokun.