Qeveritë e vendeve anëtare të BE-së kanë rënë dakord të kufizojnë udhëtimet e diplomatëve rusë brenda BE-së, në përgjigje të një vale të re përpjekjesh sabotazhi që, sipas agjencive të inteligjencës, drejtohen shpesh nga spiunë që veprojnë me status diplomatik, shkruan gazeta britanike “Financial Times”.
Operativët e inteligjencës të sponsorizuar nga Moska janë fajësuar për provokime në rritje kundër vendeve anëtare të NATO-s - nga zjarrvëniet dhe sulmet kibernetike deri te sabotazhet ndaj infrastrukturës dhe ndërhyrjet me dronë - në atë që shërbimet e sigurisë të BE-së e quajnë një fushatë të koordinuar për të destabilizuar aleatët evropianë të Ukrainës.
Rregullat e reja, sipas “Financial Times”, do të detyrojnë diplomatët rusë të akredituar në kryeqytetet e BE-së të njoftojnë qeveritë përkatëse për planet e tyre të udhëtimit përpara se të kalojnë kufijtë e vendit ku janë të stacionuar.
Kjo nismë, e mbështetur nga Republika Çeke, është pjesë e një pakete të re sanksionesh që po përgatitet nga Brukseli. Paketa duhet të miratohet unanimisht. Hungaria - vendi i fundit që e kundërshtonte - e ka tërhequr veton, sipas dy burimeve të informuara për negociatat.
Agjencitë e inteligjencës së BE-së thonë se spiunët rusë që veprojnë si diplomatë shpesh menaxhojnë operacione apo agjentë përtej vendeve ku janë të akredituar, për të shmangur mbikëqyrjen e kundërspiunazhit. “Ata janë të vendosur në një vend, por punojnë në një tjetër”, tha një diplomat i lartë evropian, duke iu referuar raporteve të inteligjencës. “Shërbimet e inteligjencës të vendit pritës e dinë se çfarë po bëjnë, por nëse kalojnë kufirin, bëhet më e vështirë të mbahen nën vëzhgim.”
Qeveria çeke ka qenë një nga promovueset kryesore të kufizimeve që nga maji i vitit të kaluar. Praga ka dëbuar disa diplomatë rusë të dyshuar për përfshirje në veprimtari spiunazhi. Megjithatë, qindra diplomatë rusë mbeten të akredituar në Austrinë fqinje - dhe prej andej mund të kalojnë ligjërisht kufirin drejt Republikës Çeke, shkruan “Financial Times”.
Në vitin 2014, Republika Çeke përjetoi një nga aktet më të rënda të sabotazhit rus në territorin e BE-së, kur shpërthimet në një depo municionesh në Vërbeticë vranë dy persona. Praga ia atribuon këtë sulm agjentëve të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU.