Botë

Fillon gjyqi ndaj ish-lideres së Birmanisë, Aung San Suu Kyi

Gjyqi i udhëheqëses së rrëzuar të Birmanisë, Aung San Suu Kyi, ka filluar, katër muaj pas një grusht-shteti ushtarak që rrëzoi qeverinë e saj.

Ajo akuzohet për posedim radio-marrëse pa leje dhe shkelje të kufizimeve të anti-COVID.

Gjykimet e mëvonshme do të përqendrohen në akuzat për korrupsion dhe thyerjen e aktit të sekreteve zyrtare.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar gjyqin, duke e përshkruar atë si një përpjekje për të ndaluar kandidimin e saj në zgjedhjet e ardhshme.

Suu Kyi, 75 vjeç, është mbajtur në arrest shtëpiak që nga grusht-shteti i 1 shkurtit në vendin e Azisë Juglindore dhe pak është parë ose dëgjuar për të përveç paraqitjeve të saj të shkurtra në gjykatë.

Të hënën, avokatët e zonjës Suu Kyi, të cilët e kanë takuar atë vetëm dy herë që kur u arrestua, do të marrin në pyetje dëshmitarët mbi pretendimet.

Një gjykim tjetër do të fillojë më 15 qershor mbi akuzat e kryengritjes. Nëse dënohet vetëm për atë akuzë, ajo përballet me 14 vjet burg.

Javën e kaluar, asaj iu shtua edhe një akuzë akuza për korrupsion mbi pretendimet se ajo kishte pranuar në mënyrë të paligjshme 600.000 dollarë para dhe rreth 11 kg ar.

Ushtria ka justifikuar marrjen e pushtetit në shkurt, duke pretenduar se kishte mashtrim në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura vitin e kaluar.

Por vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve thonë se zgjedhjet ishin kryesisht të lira dhe të drejta, dhe akuzat kundër Suu Kyi janë kritikuar gjerësisht si të motivuara politikisht.

Grusht-shteti shkaktoi protesta të përhapura dhe ushtria e Birmanisë ka goditur brutalisht protestuesit pro-demokracisë.

Forcat e sigurisë kanë vrarë më shumë se 800 njerëz dhe kanë arrestuar gati 5.000 deri më tani, sipas grupit të monitorimit Asistenca e Shoqatës për të Burgosurit Politikë.