Botë

Tre vjet shtesë burgim për Aung San Suu Kyi, dënimi total shkon në 26 vjet

Një gjykatë në Birmaninë e udhëhequr nga ushtria e ka dënuar Aung San Suu Kyi me tre vjet shtesë burgim, për korrupsion, ka bërë të ditur për CNN të mërkurën një burim i afërt.

Me dënimin shtesë të së mërkurës, ish-lideres birmaneze dhe fitueses së Nobelit për Paqe i është zgjatur burgimi në total prej 26 vjetësh.

Vendimi i së mërkurës është i fundit në një seri dënimesh të dhëna kundër 77-vjeçares, një figurë e opozitës e cila udhëhoqi Birmaninë për pesë vjet përpara se të detyrohej të largohej nga pushteti si pasojë në një grusht-shteti në fillim të vitit 2021.

Suu Kyi u shpall fajtore për marrjen e 500,000 dollarëve ryshfet nga një manjat lokal, një akuzë që ajo e mohoi, sipas burimit. Avokatët e saj kanë thënë se seria e dënimeve ndaj saj është e motivuar politikisht.

Suu Kyi aktualisht po mbahet në izolim në një burg në kryeqytetin Naypyidaw.

Muajin e kaluar, Suu Kyi u shpall fajtore për mashtrim zgjedhor dhe u dënua me tre vjet burgim me punë të rëndë, në një gjyq në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2020, ku Lidhja e saj Kombëtare për Demokraci fitoi shumicën dërrmuese, duke mundur një parti të krijuar nga ushtria.