“Rrafshi i Kosovës dhe i Dukagjinit (1689-1690): fushata habsburgase dhe perceptimet historike”, ka qenë tema e tryezës shkencore të organizuar nga Dega e Historisë e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në të cilën janë shpalosur dimensione të ndryshme kushtuar përballjes habsburgo-osmane në zonat shqiptare. Ushtria osmane ishte tërhequr, duke e lënë territorin e Kosovës të mbrohej vetë. E në këtë kohë mori hov edhe propaganda serbe, sipas së cilës, mijëra serbë u zhvendosën në atë kohë nga “Serbia e vjetër”, siç i referoheshin Kosovës, e më pas kjo anë u popullua me shqiptarë të ardhur nga veriu i Shqipërisë
Tentimi i Perandorisë Osmane për të vënë nën kontroll krejt Evropën dështoi për herë të parë në shekullin e 16-të. Pas dështimit të dytë, në shekullin e 17-të, habsburgët nisën revanshin. Synonin ta zhbënin praninë e Perandorisë Osmane në Evropë. Më 1689, arritën edhe në territorin e Kosovës së sotme dhe në Shkup. Kjo luftë la pasoja të mëdha ndër shqiptarët e kohës. Po ashtu, i dha hov propagandës së historiografisë serbe, sipas së cilës, mijëra serbë u zhvendosën në atë kohë nga “Serbia e vjetër”, siç i referoheshin Kosovës, e më pas kjo anë u popullua me shqiptarë të ardhur nga veriu i Shqipërisë. Kjo propagandë, e cila bie poshtë nga raportet zyrtare dhe kronikat e kohës të të dyja palëve ndërluftuese, bashkë me dimensionet e ndryshme të muajve të luftës në territorin e Kosovës së sotme, ishin temë e tryezës shkencore “Rrafshi i Kosovës dhe i Dukagjinit (1689-1690): fushata habsburgase dhe perceptimet historike”.
Në tryezën e mbajtur të mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të organizuar nga ky institucion, historiani Nehat Krasniqi, nëpërmjet kumtesës “Luftërat habsburge-osmane dhe veneto-osmane në trojet shqiptare në dritën e burimeve osmane”, ka sjellë perspektivën e përgjithshme mbi konfliktin, bazuar në të dhënat osmane. Ai ka thënë se ushtria osmane ishte tërhequr, duke e lënë territorin e Kosovës të mbrohej vetë. Në këtë rast, prijësit lokalë, si Begollët, Hasan Beu i Gjakovës e të tjerë, u kishin prirë shqiptarëve për t’i bërë ballë asaj që njihej si Aleanca e Shenjtë. Ushtria e koalicionit kundër osmanëve drejtohej nga gjenerali Enea Silvio Piccolomini. Në fund të vitit 1689, këto forca arritën në Prishtinë.
“Piccolomini, me ushtrinë e tij, më 23 tetor marshoi nga Prishtina drejt Kaçanikut, të cilin e gjeti të zbrazur nga banorët. Kurse nga Kaçaniku, më 25 tetor, marshoi drejt Shkupit. Aty e priti argjipeshkvi Pjetër Bogdani. Ndërsa në rrethinën e Shkupit ishte tërhequr edhe Mahmut Pashë Mahmutbegolli me një ushtri që nuk mund t’i bënte ballë ushtrisë së Piccolominit. Rreth 100 mijë banorë të Shkupit, bashkë me 40 mijë të arratisur që ndodheshin aty, ikën me shpejtësi nga qyteti i tyre dy ditë para se të arrinte ushtria habsburgase”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, Piccolomini e plaçkiti qytetin fund e krye me ushtrinë e tij dhe, më 26 tetor 1689, e dogji Shkupin.
“Djegia e Shkupit nga Piccolomini ka shënuar një tragjedi dhe barbari të pashembullt në historinë e këtij qyteti. Shkupi, para se të digjej, ishte kryeqytet, ishte kryeqendra e Shqipërisë Osmane. Zjarri, që nuk u shua për dy ditë e dy net, shkrumboi rreth 20 mijë shtëpi... Pas këtij akti barbar, Piccolomini, me forcat e tij, u kthye në Kështjellën e Kaçanikut, të cilën e përforcoi në aspektin e mbrojtjes dhe të sigurisë, dhe prej andej marshoi drejt Prizrenit”, ka thënë Krasniqi, duke përshkruar edhe ngjarjet në Prizren.
Profesori universitar i historisë, Gazmend Rizaj, është ndalur te propaganda serbe për atë periudhë. Nëpërmjet kumtesës së tij, “Diskursi në historiografi mbi të ashtuquajturën Dyndje e Madhe Serbe nga Kosova në vitin 1690”, ai ka paraqitur shtrembërimet historike, në grackën e të cilave kanë rënë edhe studiues shqiptarë e shumë emra të huaj. Ka përmendur se historiografia serbe thotë se afro 40 mijë serbë u larguan në atë kohë nga Kosova dhe se kjo pjesë më pas u popullua me shqiptarë. Ka përmendur një varg studiuesish të huaj që e marrin këtë si të mirëqenë, përfshirë edhe Edith Durhamin. Sipas tij, në këtë grackë ka rënë edhe diplomati shqiptar, Mehmet Konica.
“Në librin e tij ‘The Albanian Question’, më 1918, ra në këtë grackë, në kohën kur propaganda dhe informatat e duhura për historinë tonë kishin rëndësi, sepse në Konferencën e Paqes po vendosej fati ynë”, ka thënë ai. Siç ka cituar Rizaj, Konica shkruante se, “të sunduar nga shqiptarët në njërën anë dhe të shtypur nga qeveria turke në anën tjetër, gjithashtu edhe të nëpërkëmbur nga kisha greke, e cila përpiqej vazhdimisht të zëvendësonte kishën serbe dhe bullgare me kisha greke, serbët e Kosovës, të udhëhequr nga patriarku i Pejës, vendosën të migronin”.
Sipas Rizajt, këtij debati duhet t’i jepet fund, pasi, të shtyrë nga propaganda serbe, jostudiuesit shqiptarë janë munduar shumë që me argumente ta mposhtin këtë narracion të paqenë. Ai ka kërkuar dhe i është premtuar se kumtesat do të botohen edhe në gjuhën angleze.
Historiani Ardian Muhaj, nëpërmjet kumtesës së tij “Mes çlirimit dhe transferimit të sovranitetit: aktorët shqiptarë dhe fushata habsburgase në Kosovë e Dukagjin (1689–1690)”, ka ofruar një pasqyrë të asaj kohe. Ka nxjerrë në pah tezën se, meqenëse Stambolli e kishte braktisur hapësirën e Kosovës, prijësit lokalë, duke udhëhequr luftën kundër Habsburgëve, kishin bërë që më vonë të gëzonin një lloj autonomie brenda Perandorisë.
“Unë mendoj se këtu është baza e autonomisë dhe e moscentralizimit të pushtetit në Stamboll sa u përket këtyre trojeve. Këtu është baza e pashallëqeve të forta, si ai i Ali Pashë Tepelenës. Pra, në këtë kohë u vunë themelet e asaj autonomie, deri te centralizimi i radhës në kohën e Tanzimatit”, ka thënë Muhaj.
Historiani Agron Islami, nëpërmjet kumtesës “Pushtimi i Kosovës nga ushtria habsburgase dhe lëvizjet e popullsisë në vitet 1689–1691 sipas dy kronistëve osmanë të shekullit XVII”, ka treguar se historiografia turke nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur kësaj çështjeje. Sipas tij, autorë të njohur turq, në trajtimet e tyre, u janë referuar kryesisht të dhënave të historiografive të huaja.
“Si rrjedhojë, në mesin e një pjese të konsiderueshme të historianëve turq është e përhapur bindja se fenomeni i ashtuquajtur i shpopullimit të Kosovës gjatë vitit 1691 është një fakt i mirëqenë historik. Përkundër kësaj, edhe dokumentacioni osman i viteve të pushtimit flet për rikthimin e popullsisë së Kosovës, e cila kishte ikur bashkë me ushtrinë osmane të drejtuar nga Mahmud Beyzadeja, dhe nuk kemi të bëjmë me popullsi të re të ardhur nga trevat e Shqipërisë së sotme”, ka thënë ai. Ka veçuar dy kronika të kohës, të cilat janë shkruar nga dy historianë osmanë që ishin pjesë aktive e ushtrisë osmane në kohën e luftërave të njohura si habsburgo-osmane.
“Sipas dy kronikanëve në fjalë, Koxha Mahmud Pashë Tekirdaku dhe Selim Giraj, më 1689, rikthyen Shkupin. Ndërkohë, bejlerbeu i Rumelisë, Halil Pasha, sanxhakbeu i Dukagjinit, Mahmud Pasha, dhe ai i Vlorës, Xhafer Pasha, qëndronin në krye të ushtrisë osmane, të përbërë nga tatarët dhe 15 mijë shqiptarë, të cilët, pa ndonjë qëndresë të theksuar, arritën ta rikthenin Kaçanikun, Pejën, Prizrenin, Prishtinën dhe kështu rivendosën pushtetin në Kosovë pas një viti e pak ditësh”, ka thënë ai. Këtu ka lindur edhe një diskutim.
Tatarët, në burimet turke, paraqiten sikur nuk kanë kryer krime ndaj shqiptarëve. Por, sipas historianit Memli Krasniqi, burimet perëndimore flasin për krime të mëdha të tyre ndaj popullsisë shqiptare. Krasniqi, nëpërmjet kumtesës “Rrafshi i Kosovës dhe i Dukagjinit si zonë e përplasjes habsburgo-osmane (1689–1690): shpërnguljet, dhuna dhe pasojat demografike”, ka paraqitur raportimet e gazetave perëndimore, të cilat janë të kundërta me historiografinë serbe, por edhe me burimet osmane.
Sipas tij, një gazetë angleze, e datës 11 dhjetor 1689, me shprehjen “Arnaut”, i referohej popullit të krishterë, ndërsa shqiptarëve ortodoksë u referohej si grekë.
“Ndërkohë, gjenerali Piccolomini mori Lescowatz-in, një qafë që siguron të gjitha luginat e vogla drejt Bosnjës dhe Shqipërisë; dhe pas dy ditësh marshimi hyri në vendin pjellor të Kosovës dhe, pasi e detyroi Mahmut Pashën, i cili kishte me vete 5 ose 6 mijë burra, të tërhiqej, e bëri veten zot të Prishtinës, që është një qytet i madh, i vendosur në mes të rrugës midis Nishit dhe Shkupit. Këtu ‘grekët’ (ortodoksët – v.j.), të Shqipërisë, të cilët thirren me disa emra, si arnautë, kelmendas dhe rozhajas, i dërguan atij përfaqësues për të kërkuar mbrojtjen e Perandorit, me një ofertë për t'i paguar atij të njëjtin haraç që u kishin paguar më parë turqve”, ka cituar ai “The London Gazette” të datës 26 dhjetor 1689. Ka cituar edhe gazeta të tjera, të cilat një pjesë të popullsisë shqiptare e paraqisnin si ortodokse.
“...Nga 20.000 kryengritës shqiptarë, që ishin bashkuar me forcat e Piccolominit, pas vdekjes së tij, kishin mbetur më pak se 3.000 kryengritës shqiptarë”, ka cituar ai Arkivin e Francës. Sipas Krasniqit, të gjitha burimet e të gjitha palëve duhet të analizohen mirë dhe jo të merren si të mirëqena të njërës apo tjetrës palë. Në tryezë është vërejtur se disa studiues kanë njëfarë besimi më të madh tek arkivat osmane, e disa tek ato perëndimore. Por kjo tryezë, bazuar në kumtesat dhe diskutimet e mëpastajme, ishte ndër më përmbajtësoret që janë mbajtur këto vjet.