Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

FBI-ja parandalon komplotin për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit

Në SHBA, autoritetet e organeve të rendit njoftuan të enjten për parandalimin e një komploti për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit Gretchen Whitmer, duke arrestuar gjashtë milicë antiqeveritarë, mesa duket të zemëruar për masat e izolimit të politikanes demokrate, gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ata u akuzuan se kishin komplotuar për të rrëmbyer guvernatoren në shtëpinë e saj të pushimit si reagim ndaj asaj që ata e quajnë “pushtet i pakontrolluar i saj", në bazë të një padie penale që u bë e ditur të enjten në një gjykatë federale.

Komploti i guximshëm për rrëmbimin e guvernatores Whitmer dhe për ta çuar atë në një vend të fshehtë për ta gjykuar për "tradhti", nxjerr në pah kërcënimin në rritje të grupeve ekstremiste të djathta para zgjedhjeve të 3 nëntorit, që po mbahen në një klimë të acaruar politike, thonë ekspertët.

Personat kishin muaj që komplotonin, duke u këshilluar dhe trajnuar me anëtarë të milicisë dhe duke provuar skenarin në muajt gusht dhe shtator, sipas padisë. Katër nga gjashtë personat planifikuan të takoheshin të mërkurën “rreth një pagese për eksplozivët dhe për të shkëmbyer mjete taktike", tha FBI-ja në padinë e dorëzuar në gjykatë.

Disa orë më pas, guvernatorja Whitmer fajësoi pjesërisht presidentin Donald Trump, duke vënë në dukje se ai nuk i dënoi supremacistët e bardhë në debatin e javës së kaluar me rivalin demokrat Joe Biden, por se i tha një grupi të ekstremit të djathtë "të përmbaheshin dhe të prisnin”.

"Grupet e urrejtjes i dëgjuan fjalët e presidentit jo si një qortim por si një thirrje për mobilizim, si një thirrje për veprim," tha zonja Whitmer. "Kur udhëheqësit tanë flasin, fjalët e tyre kanë rëndësi. Ato mbajnë peshë."

FBI-ja citonte njërin nga të akuzuarit të thoshte se Whitmer “nuk ka fare kontrolle dhe balanca. Ajo ka tani pushtet të pakontrolluar. Çdo (privilegj) merr fund një ditë”.

Qeveria përdori informatorë dhe agjentë të fshehtë për të parandaluar komplotin e pretenduar. Të gjashtë personat u arrestuan të mërkurën në mbrëmje dhe secili përballet me burgim të përjetshëm. Prokurori i Miçiganit perëndimor, Andrew Birge i quajti ata "ekstremistë të dhunshëm".

"Të gjithë ne në Miçigan mund të kemi mospajtime në lidhje me politikën, por ato mosmarrëveshje kurrë, kurrë nuk duhet të shkojnë deri në dhunë. Dhuna është parandaluar sot," u tha gazetarëve avokati amerikan i Detroit, Matthew Schneider.

Në padinë penale thuhej se plani përfshinte zonjën Whitmer dhe shtëpinë e saj të pushimit në veri të Miçiganit.

Whitmer është vlerësuar, por edhe kritikuar mjaft lidhur me përgjigjen e shtetit të saj ndaj koronavirusit. Ajo vuri kufizime të mëdha për lëvizjet personale në të gjithë shtetin dhe në ekonomi, megjithëse shumë prej këtyre kufizimeve janë hequr. Në padi penale nuk përmenden urdhrat e saj për këtë çështje.

Përmes komunikimeve elektronike, dy nga komplotistët e pretenduar "ranë dakord të përfshijnë edhe njerëz të tjerët rreth kauzës së tyre dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër shumë qeverive të tjera të shteteve amerikane që ata besojnë se po shkelin Kushtetutën", tha FBI-ja.

Personat janë identifikuar me emrat: Adam Fox, Ty Garbin, Kaleb Franks, Daniel Harris, Brandon Caserta nga Miçigani dhe Barry Croft nga Delauer.

Adam Fox tha se atij i duheshin 200 persona për të sulmuar ndërtesën e Kapitolit në Lansing të Miçiganit dhe për të marrë pengje, përfshirë guvernatoren, sipas FBI-së.

Artikuj të ngjashëm