Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka sugjeruar të mërkurën se vendi i tij së shpejti mund ta miratojë aplikimin e Finlandës për t’iu bashkuar NATO-s, duke dhënë mundësinë që ajo t’i bashkohet aleancës ushtarake ndarazi nga Suedia.
Të alarmuara nga pushtimi i Ukrainës vitin e kaluar, Finlanda dhe Suedia braktisën dekada mosangazhim dhe aplikuan për t’iu bashkuar aleancës. Të gjithë 30 anëtarët e NATO-s duhet të aprovojnë aplikimet e tyre, dhe 28 prej tyre i kanë ratifikuar. Vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë bërë, raportoi AP.
Qeveria e Turqisë e akuzon Suedinë se është treguar e butë me grupet terroriste dhe që janë kërcënim, përfshirë ato kurde. Ankaraja megjithatë ka thënë se ka më pak probleme me anëtarësimin e Finlandës.
Pyetur nga gazetarët nëse Turqia do ta aprovojë aplikimin e Finlandës, Erdogani u përgjigj: “Dashtë Zoti, nëse është për të mirë”.
“Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Do ta mbajmë premtimin tonë. Do të takohemi të premten me presidentin dhe do ta përmbushim premtimin që kemi dhënë”, ka thënë ai.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka thënë se ka pasur indikacione të vazhdueshme në javët e fundit se Turqia është gati të ratifikojë anëtarësimin e Finlandës para Suedisë.
-
Turqia miraton ofertën e Finlandës për të hyrë në NATO
-
Erdogan: Kemi qëndrim pozitiv për anëtarësimin e Finlandës në NATO, por jo edhe për Suedinë
-
Erdogan: Mund të pajtohemi që Finlanda të bëhet pjesë e NATO-s, por jo edhe Suedia
-
Erdogani këmbëngul: Nuk do ta miratojmë pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO
-
Finlanda e Suedia u bëjnë thirrje Hungarisë e Turqisë t’i ratifikojnë aplikimet e tyre në NATO