Kryeministrat e Finlandës dhe Suedisë i kanë kërkuar Hungarisë dhe Turqisë që të miratojnë aplikimet e vendeve të tyre për t'u bashkuar me NATO-n. Por Ankaraja këmbënguli se nuk do të heqë kundërshtimet e saj pa ekstradime të mëtejshme të të dyshuarve që i konsideron terroristë.
Dy vendet nordike aplikuan për t'u bashkuar me aleancën e mbrojtjes të udhëhequr nga SHBA-ja në maj, duke hequr dorë nga statusi i mos-angazhimit ushtarak në dekada. Ky është cilësuar një ndryshim historik i shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
28 nga 30 anëtarët e NATO-s kanë ratifikuar kërkesat e tyre. Hungaria dhe Turqia janë të vetmet që nuk e kanë bërë këtë.
Budapesti ka thënë javën e kaluar se i mbështeti aplikimet dhe parlamenti i tij do t'i ratifikonte ato deri në mes të dhjetorit, por Ankaraja ka sinjalizuar sërish se dëshiron veprime konkrete kundër grupeve që i konsideron terroriste.
"Të gjithë sytë janë tani tek Hungaria dhe Turqia", ka thënë të martën kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin. “Ne presim që këto vende të ratifikojnë aplikimet tona. Mendoj se do të ishte e rëndësishme që kjo të ndodhte mundësisht më shpejt se më vonë”.
Kryeministri i ri i Suedisë, Ulf Kristersson, u shpreh se Suedia kishte "respekt të plotë për faktin se çdo vend brenda aleancës merr vendimet e veta", duke shtuar se ai do të vizitonte Ankaranë në ditët në vijim.
Edhe
Erdogani jep shenja se Turqia do ta shtyjë përpara anëtarësimin e Finlandës në NATO
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, i cili përballet me zgjedhjet vitin e ardhshëm dhe është i prirur për mbështetje nacionaliste, ka thënë se vendi i tij është ende kundër aplikimit të Suedisë, ndërsa zëdhënësi i partisë së tij në pushtet AK, Omer Çelik, ka thënë të hënën se Suedia nuk kishte bërë ende mjaftueshëm që Ankaraja të ndryshojë mendje.
“Këto deklarata të Suedisë janë të mira, por jo të mjaftueshme derisa të zbatohen”, ka thënë Çelik. Turqia ka thënë se ka më shumë kundërshtime ndaj Suedisë sesa Finlandës, por të dy vendet përsëritën javën e kaluar se do të anëtarësoheshin në NATO në të njëjtën kohë, duke ruajtur një front të bashkuar.
Ankaraja dëshiron të shohë më shumë ekstradime të individëve që thotë se janë të lidhur me PKK-në dhe grupet e tjera që i konsideron terroriste. Deri më tani, Suedia ka miratuar vetëm dy kërkesa. Mediat nordike kanë thënë se deri në 73 mund të jenë në pritje.