Finlanda dhe Suedia duhet t’i ndryshojnë ligjet e tyre nëse është e nevojshme, për të përmbushur kërkesat e Turqisë dhe për të fituar mbështetjen e saj për t’iu bashkuar NATO-s, ka deklaruar të martën ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, duke dyfishuar kërcënimin për të vënë veton ndaj një zgjerimi historik të aleancës.
Në një lëvizje që tronditi aleatët e saj, Turqia më 13 maj kundërshtoi anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO me arsyetimin se ato strehojnë njerëz të lidhur me grupet që ajo i konsideron terroriste, duke përfshirë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe për shkak se ata ndaluan eksportet e armëve në Turqi në vitin 2019.
Shtetet nordike aplikuan për t'u anëtarësuar në NATO pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Të 30 anëtarët e NATO-s duhet të miratojnë çdo plan zgjerimi, nëse ai paraqitet.
Mevlut Cavusoglu tha se Turqia, një anëtare e NATO-s për shtatë dekada, nuk do të heqë veton nëse nuk plotësohen kërkesat e saj.
Ankaraja ka kërkuar që Suedia dhe Finlanda të zvogëlojnë mbështetjen për PKK-në dhe grupet e tjera, t’i ndalojnë ato të organizojnë ngjarje në territorin e tyre, t’i ekstradojnë ata që kërkohen nga Turqia nën akuzat për terrorizëm, të mbështesin ushtrinë turke dhe të kundërshtojnë operacione terroriste.
Edhe
Turqia: Ka ende kërkesa që duhet të përmbushen nga Suedia për anëtarësim në NATO
Finlanda dhe Suedia kanë kërkuar të negociojnë një zgjidhje dhe shtetet tjera të NATO-s kanë thënë se mbeten të bindura se kundërshtimet e ngritura nga Turqia – e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, mund të kapërcehen.
Shtetet nordike kanë thënë se dënojnë terrorizmin dhe janë të hapura për dialog.